Prapaskenat e provokimit të Edi Ramës me Bregoviçin!

Aktuale

Prapaskenat e provokimit të Edi Ramës me Bregoviçin!

Më: 9 gusht 2021 Në ora: 10:08
Goran Bregoviç

Që një pjesë e mirë e reagimeve në lidhje me Goran Bregoviçin janë të shtyra e të stisme, kjo u pa që në fillim.

Një koncert që është gati të kthehet në “cassus belli” ndërmjet shqiptarëve këtej Drinit dhe shqiptarëve të Kosovës, duket një skenar “perfekt” për një triller imazhi, pikërisht nga ata me publicitet të shtuar, që i vyen shumë Edi Ramës.

I cili është njeriu që ka ideuar ardhjen e artistit, që konsiderohet nga shqiptarët e Kosovës, si njeriu-imazh i dhunës serbe në kulmin e luftës në Ish-Jugosllavi.

Mjaftonte gjithë ky reaksion i madh nga Kosova, që ardhja e Goran Bregoviçit në Korçë, të mos kthehej në një shëndijë që të ndizte një përçarje mes shqiptarësh.

Mjaftonte një komunikim i organizatorëve me Goran Bregoviçin, i cili sipas gjasave nuk do të vinte në një klime kaq të rëndë që e rrethon koncertin e Korçës.

Por duket qartë, se Festa e Birrës në qytetin e Serenatave është një manifestim politik i pastër i Edi Ramës, për të shkaktuar një provokacija ndaj Albin Kurtit.

Për të treguar se ai është ndryshe dhe Shqipëria është ndryshe, e pas kësaj të krijojë një atmosferë, e cila do të ishte veçse një favor për Beogradin në takimin e tretë me Prishtinës.

Po si kështu?

Shumë thjeshtë, duke i dhënë Vuçiçit një rast për të dalë nga dara e fortë ku e ka futur kryeministri i Kosovës në dy takimet e para, e për t’i treguar Perëndimit se ai është toleranti, por është Kurti që si intrasigjent kërkon të “na kthejë në 1878-n”, siç tha pas takimit të dytë.

Kur realisht e gjitha ishte një fake news.

Albin Kurti nuk ka propozuar kthimin në Kongresin e Berlinit, por i ka kërkuar zyrtarisht Beogradit firmosjen e një marrëveshje paqeje me Prishtinën, njëjtë si ajo që ka firmosur Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore.

Një marrëveshje mosulmimi dhe paqeje, që të garantojë dekada armëpushimi jo vetëm ushtarakisht, por edhe politikisht, në ekonomi, kulturë, e natyrisht sporte e marrëdhëniet njerëzore.

Por ardhja e Bregoviçit në Korçë në kulmin e këtij tensioni, thjesht krijon një provokacije të pastër.

Nëse Bregoviç do të ishte pritur pa polemika dhe gjithë pekule, mediat e Beogradit dhe ato ruse do të shpërthenin me titujt: “Shqiptarët e Shqipërisë, presin serbin e famshëm, që është idhulli i banorëve të Republika Srbska”.

E tani që me arsye, ardhja e Bregoviçit është kontestuar, do të ketë tituj të tillë: “Shqiptarët e Kosovës, pengojnë artistin e madh ndërkombëtar, të këndojë në qytetin e Shqipërisë”.

Në të dyja rastet, Bregoviçi është një kurth, është një rast për sherr, është realisht një ‘cassus belli’. Të ishte artist i vërtetë, Gorani do të ishte tërhequr vetë, për të paqtuar sa më shumë shpirtra. Por ai në këtë rast është instrument politik.

Edi Rama, synon thjesht t’i tregojë Albin Kurtit që në Shqipëri nuk do të lejojë që fryma e tij të mbizotërojë.

Por në fakt, Rama e ka të humbur davanë, ngase edhe pse Bregoviçi mund ta zhvillojë koncertin e tij në Korçë, qoftë edhe me mjaft spektatorë, kryeministri i Shqipërisë do të nxihet edhe më shumë në faqen e tij karshi shqiptarëve të Kosovës.

E çfarë vleu atëherë koncerti?

Natyrisht i vleu imazhit të serbëve, që do të gëzohen në të gjithë këtë sherrnajë që hapi Babloku vetëm me një provokim që ka prekur aq shpirtra e ka mërzitur mijëra njerëz në Shqipëri e Kosovë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat