​Kurti prezanton buxhetin 4.27 miliardë euro për vitin 2027

Aktuale

​Kurti prezanton buxhetin 4.27 miliardë euro për vitin 2027

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 16:47
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur sot para deputetëve projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës 2027, i cili “peshon” 4,27 miliardë euro.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e buxhetit është rezultat i performancës së të hyrave publike dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik, duke theksuar se projektbuxheti synon mbështetjen e qytetarëve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.

Ai bëri të ditur se projektbuxheti parasheh edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Kurti flet për rritjen e buxhetit të Kosovës 2027

“Kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i performancës së të hyrave publike, por edhe një ekonomie e cila u zgjerua, krijoi vende të reja të punës dhe gjeneroi shumë aktivitet ekonomik. Kjo performancë e mirë na mundësoi të bëjmë dy gjëra njëkohësit, politikat mbështetëse për qytetarët dhe ta ruajmë qëndrueshmërinë afatgjate të financave publike. Në këtë buxhet kemi paraparë edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga ekipet mbrojtëse. Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme presim edhe strategjinë e grupit punues”, tha ai.

Kryeministri u ndal edhe te politikat e pagave në sektorin publik, duke bërë të ditur se për vitin 2027 është paraparë pagesa e pagës së 13-të, ndërsa nga 1 korriku vlera e koeficientit të pagave do të rritet në 120 euro.

Kurti paralajmëroi gjithashtu dyfishimin gradual të shtesave për fëmijë, proces që do të realizohet në katër faza, me rritje prej 25 për qind, duke filluar nga 1 janari 2027.

Nga 1 korriku 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro

“Buxheti i vitit 2027 vazhdon politikën e rritjes së të ardhurave për punonjësit e sektorit publik. Edhe këtë vit është paraparë pagesa e pagës së 13-të, krahas saj nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro, që nënkupton rritje të pagës.. kemi kapitullin e mbështetjes më të madhe për familjet dhe fëmijët. Një tjetër zotim është dyfishimi i shtesave për fëmijët, kemi parë një rritje graduale në katër faza me 25 për qind rritje, faza e parë fillon më 1 janar 2027. Kemi përgjysmuar buxhetin për shpenzimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit dhe mjetet e kursyera i kemi orientuar drejt financimit të barnave esenciale për shërbimin spitalor dhe klinik të Kosovës. Kemi paraparë edhe shtimin e 120 profesionistëve shëndetësorë në SHSKUK, ndërsa në nivelin lokal janë planifikuar ndërtimi i qendrave të reja familjare. Kemi ndarë mjete për blerjen e pajisjeve moderne të teknologjisë më të avancuar”, tha Kurti.

Në pjesën e investimeve kapitale, Kurti theksoi se për herë të parë janë paraparë mbi një miliard euro për këtë kategori, me qëllim të zhvillimit dhe transformimit të infrastrukturës në vend.

Ai prezantoi edhe një nismë të re për themelimin e një kompanie kombëtare ajrore, e cila, sipas tij, synon zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës dhe krijimin e më shumë mundësive për udhëtim.

Kurti prezanton edhe një nismë të re për themelimin e një kompanie kombëtare ajrore

“Kemi investimet kapitale dhe transformimin e infrastrukturës. Për herë të parë mbi një miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori. Ndër nismat e reja është edhe ajo për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore. Kjo nismë synon të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës, krijimin e më shumë mundësive për udhëtim dhe promovimin e vendit në tregje ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ndryshe, projektbuxheti për vitin 2027 është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 2 nëntor dhe është proceduar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Ai është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar 2026.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat