​Rama i kundërpërgjigjet Kurtit për Lojërat Mesdhetare

Aktuale

​Rama i kundërpërgjigjet Kurtit për Lojërat Mesdhetare

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 16:44
Përparim Rama/ Albin Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rrezikimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke ia atribuuar Qeverisë përgjegjësinë për mosrealizimin e disa obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Reagimi i Ramës vjen pas deklaratave të Kurtit në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit foli për rrezikun që i kanoset organizimit të Lojërave Mesdhetare, duke theksuar se mungesa e unitetit të brendshëm e ka sjellë vendin në këtë situatë. Kurti tha se vazhdon të jetë optimist, por optimist i përmbajtur, ndërsa kritikoi edhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kundërshtuar atë që e konsideron si përpjekje të kryeministrit për t'ia bartur Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për situatën e krijuar.

Ai ka përmendur tri arsye që, sipas tij, janë paraqitur në komunikimin e fundit të ICMG-së për anulimin e takimit me palën kosovare: mospërfundimin e pagesës, mosdërgimin e emrave të delegacionit dhe mungesën e përgjigjeve në komunikimet elektronike.

"Kryeministër, paske provu me ia bartë Prishtinës fajin për dështimin e “Lojërave Mesdhetare”!

Në komunikimin e fundit, “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare” thotë se takimi është anulu për këto arsye!

Pagesa s’është kry.

Emrat e delegacionit s’janë dërgu.

Nuk jeni përgjigjë në email-a.

Kush ka pasë me i bo këto?

Qeveria.

Qeveria.

Qeveria.

Qikaq e thjeshtë është!"

Rama, në këtë mënyrë, ia ka atribuuar Qeverisë përgjegjësinë për të tria çështjet, duke kundërshtuar interpretimin e Kurtit për përgjegjësinë institucionale në procesin e përgatitjeve për Prishtina 2030.

Përplasjet ndërmjet institucioneve lidhur me Lojërat Mesdhetare vijnë në një kohë kur organizimi i tyre po përballet me paqartësi, ndërsa përmbushja e obligimeve financiare dhe institucionale ndaj ICMG-së mbetet thelbësore për vazhdimin e këtij projekti.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 dhe përbëjnë një prej projekteve më të mëdha sportive që Kosova ka marrë përsipër të organizojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat