Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari ka pritur në një takim lamtumirës ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, me rastin e përfundimit të mandatit të saj diplomatik.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral, shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e inovacionit.
Ajo tha se vëmendje të veçantë i kanë kushtuar Ligjit për Inovacionin dhe rolit të Fondit të Inovacionit në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e ekosistemit inovativ në Kosovë.
Sipas Kusarit, ambasadorja Ziv ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin në këtë fushë.
Në fund, Kusari e ka falënderuar ambasadoren për angazhimin dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme.