Kancelari Federal i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka organizuar në Berlin një takim të nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve”, ku i ftuar ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi është zhvilluar në Kancelarinë Federale Gjermane dhe ka mbledhur përfaqësues të vendeve që mbështesin Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë shqiptare, ftesa për pjesëmarrjen e Ramës në këtë tryezë të rëndësishme riafirmon rolin aktiv të Shqipërisë si partnere e besueshme në çështjet e sigurisë, paqes dhe stabilitetit evropian.
Kryeministria e konsideron këtë pjesëmarrje si dëshmi të angazhimit të Shqipërisë në diskutimet dhe përpjekjet ndërkombëtare për sigurinë e Evropës.