Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami janë përplasur verbalisht në Kuvend në lidhje me të hyrat buxhetore dhe barrën tatimore.
Deputetja Bajrami, gjatë diskutimit sonte në Kuvend, tha se pjesa më e madhe e të hyrave të buxhetit të Kosovës 2027 sigurohet nga tatimet mbi konsumin, ndërsa tatimet mbi pasurinë dhe të ardhurat janë dukshëm më të ulëta, raporton KosovaPress.
Projektbuxheti, Bajrami: 2 miliardë janë TVSH, 757 milionë akcizë dhe 219 milionë nga dogana
“Plot dy miliardë euro janë tatim mbi vlerën e shtuar, ku konsumatorët, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë tjetër, respektivisht 18 për qind për secilin mall që ata blejnë për ta konsumuar ose për ta përdorur. Janë 757 milionë akcizë dhe 219 milionë euro nga dogana. Dhe këto janë të gjitha tatimet e konsumit, sepse tatohen transaksionet, tatohet konsumi i secilit qytetar. A e dini që tatimet në pasuri, siç janë tatimi në të ardhura, tatimi në fitim dhe tatimi në pronë janë vetëm 720 milionë euro? Pra, po e shihni se nga vjen buxheti i Republikës së Kosovës”, tha Bajrami.
Në replikë, ministri Hekuran Murati kërkoi sqarim nga deputetja Bajrami nëse ajo po kërkon rritjen e tatimeve direkte, duke iu referuar deklarimit të saj se këto tatime janë në nivel të ulët. Ai tha se, pavarësisht se nuk janë ndryshuar politikat fiskale dhe normat tatimore, të hyrat nga tatimet direkte janë rritur.
Tatimet direkte, Murati: Ka rritje 136 për qind pa ndryshuar normën tatimore
“Në lidhje me atë që tha deputetja Bajrami, nuk e kisha të qartë nëse po kërkohet rritje të tatimeve, sepse me aq sa kuptova, thatë që tatimet direkte janë tepër të ulëta dhe duhet të rriten apo jo? Ma sqaroni, nëse është e saktë. Kurse në anën tjetër, thatë që s'ka pasur ndryshim të politikave fiskale. Pikërisht kjo është çështja. Pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, i kemi rritur hyrjet. Më lejoni ta rikujtoj që buxhetin që ju e keni dorëzuar sa keni qenë ministre e Financave, tatimet direkte kanë qenë 304 milionë euro. Pra, ka rritje 136 për qind pa e ndryshuar asnjë normë tatimore”, tha Murati.
Deputetja Bajrami kritikoi ministrin Murati për politikat fiskale dhe duke thënë se ai nuk po dëshmon se si buxheti duhet të shpërndahet për të krijuar vlerë ekonomike. Ajo gjithashtu tha se ministri Murati është pajtuar me politikat fiskale të ish-kryeministrit Avdullah Hoti.
Ti po e tregon injorancën tënde, Bajrami: Murati nuk di si bëhet shpërndarja e buxhetit
“Po më vjen me t'u drejtuar ministër, se veç këtë epitet nuk e meriton. Po, ti po e tregon injorancën tënde, ti idenë nuk e ke, se qysh duhet shpërndarë buxheti në mënyrë që të krijohet vlera ekonomike. Ti po tregon që nuk ka vlerë të shtuar me politikat tua. Në ndërkohë, ti është mirë të tregosh që ti je pajtuar me politikat fiskale të Avdullah Hotit dhe nuk ke pasur nevojë me heq asnjë presje e asnjë pike”, tha Bajrami.