Ish-ministrja Hoxha i përgjigjet Sallahut

Aktuale

Ish-ministrja Hoxha i përgjigjet Sallahut

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 12:14
Dhurata Hoxha

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për 5 vite, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.

Ai  në një konferencë për media, tha se për këtë shkelje kishte pasur informacione edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Sipas tij, në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi Ligji i ri për Mjekësinë Ligjore dhe ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore të tij, mirëpo “udhëzimi i bazuar në ligjin e vjetër ende vazhdon të jetë në fuqi”.

Lidhur me këtë ish ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë që sipas saj, Ligji për Mjekësi Ligjore ka hyrë në fuqi para se ajo të ishte ministre.

“Ligji ka hyrë në fuqi në prill 2016, ndërsa unë jam emëruar në MD ne korrik 2016, ku menjëherë kemi filluar me hartimin e ligjeve dhe akteve nenligjore te cilat kanë qenë në agjendën legjislative. Deri në shpërbërjen e Kuvendit që ka qenë rreth 9 muaj kemi dërguar në Kuvend 8 ligje duke përfshirë edhe Kodin Penal dhe ligje te tjera te rëndësishme. Sa i përket rastit në fjalë, ka qenë pjesë e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, të cilin rishikim e kam inicuar unë qysh në fillim te vitit 2017 dhe pastaj ministrat tjerë kanë vazhduar këtë nismë”.

Tutje Hoxha ka thënë që shpreson që ministrat që kanë ardhë pas saj ” të kenë arritur t’i përmirësojnë këto zbrazëtira ligjore të cilat janë evidentuar dhe po vazhdojnë të evidentohen”.

“Pra, kanë qenë edhe tre ministra pas meje duke përfshirë ministren aktuale dhe të gjithë ata paskan pasur mosveprim atëherë, mirëpo vetëm emrin tim e paskan përmendur”, u shpreh tutje ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat