Ditë më parë është dhënë si ide shtyrja e zgjedhjeve lokale, për shkak të pandemisë Covid-19.
Për këtë ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke u shprehur kundër shtyrjes së zgjedhjeve.
Sipas tij, në vend të shtyrjes së zgjedhjeve, të shkurtohet periudha e fushatës, të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato.
Postimi në Facebook:
Pse me i shty zgjedhjet?!
Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë.
Sot, situata është krejt ndryshe. E njohim më mirë virusin, dimë si të mbrohemi prej tij e kemi vaksina, si dhe kemi protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve. Askush nuk i shtyen më zgjedhjet për shkak të pandemisë, e ne s'kemi pse të jemi të vetmit.
Ne kemi mbajtur dy palë zgjedhje në kohë pandemie. Përvoja nga to tregon që ka fare pak të ngjarë që rritja e rasteve të ketë ndodhur si pasojë e ditës së zgjedhjeve.
Ditën e zgjedhjeve ka pasur respektim relativisht të kënaqshëm të masave, si nga komisionerët ashtu edhe nga votuesit. Edhe për ato pak raste të mosrespektimit, ka zgjidhje. Zgjidhje janë kontrollet më të shpeshta dhe rigoroze nga institucionet përkatëse.
Rrezikun mund ta minimizojmë edhe më shumë nëse, ta zëmë, vendoset që askush nuk mund të jetë pjesë e stafit zgjedhor (veçanërisht komisionerë) nëse nuk është i/e vaksinuar. Bartja adekuate e maskës për votuesit në gjithë hapësirën e qendrave të votimit duhet të jetë obligative.
Problemi ka qenë dhe është mbajtja e fushatës, pavarësisht kohëzgjatjes. Jo e fushatës si e tillë, por e llojeve të aktiviteteve që organizoheshin nga pikërisht nga subjektet politike, ku merrnin pjesë numër shumë i madh i qytetarëve, pa respektuar asnjë masë.
Andaj, shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion. Jo vetëm për shkak të komplikimeve të shumta ligjore që do t'i kishte një vendim i tillë në raport me mandatin e institucioneve lokale.
Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor. Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma tjera të komunikimit elektronik.