​Kurti bashkëbisedoi me një grup studentësh nga Austria për sfidat në qeverisje

Aktuale

​Kurti bashkëbisedoi me një grup studentësh nga Austria për sfidat në qeverisje

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 14:49
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bashkëbiseduar me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri, në fushën e të drejtave të njeriut. Delegacionit të studentëve u prinin profesorët e tyre, Marijana Grandits dhe Manfred Novak.

Duke e falënderuar për pritjen, Grandits tha se studentët kanë shprehur dëshirë që të dëgjojnë pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballet kryeministri Kurti në qeverisje dhe në politikë.

Kryeministri Kurti foli për prioritetet qeveritare, pandeminë COVID-19, përmirësimin e arsimit, reformat e nisura në drejtësi dhe për rrugën politike të Kosovës për integrim evropian dhe euroatlantik.

Duke folur për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, kryeministri Kurti tha se pas shpërthimit të variantit të rrezikshëm delta, në muajin e kaluar, e që rriti ndjeshëm numrin e infeksioneve, gjendja tani ka filluar të përmirësohet.

Ai tha se Kosova ka administruar mbi 1 milion doza të vaksinës dhe kjo shton shpresën për tejkalimin më të lehtë të gjendjes dhe forcimin e imunitetit të popullatës ndaj valëve të reja të mundshme të përhapjes së virusit.

Kurti tha se që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Republika e Kosovës nuk ka pasur stabilitet më të madh institucional dhe politik, i cili po ndikon edhe në përparimin ekonomik.

Ai i njoftoi studentët për rritjen e parashikuar ekonomike prej 7.9 për qind të bruto prodhimit vendor, rritjen e eksporteve prej 63 për qind, të qarkullimit të biznesit prej 30 për qind dhe të të hyrave të qeverisë prej 28 për qind.

Studentët u interesuan të dinë nga kryeministri Kurti për politikën që do të ndjekë Kosova në arenën ndërkombëtare, për procesin e dialogut me Serbinë, për mënyrën sesi po e lufton korrupsionin etj.

Kryeministri tha se mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimet e përbashkëta të kompanive të huaja me bashkatdhetarët tanë në mërgatë.

Ai po ashtu tha se korrupsioni duhet të luftohet në institucione dhe se reformat e nisura në sistemin e drejtësisë, janë hapi i parë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat