MPB: Gjatë 24 orëve janë lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese

Aktuale

MPB: Gjatë 24 orëve janë lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:03
Foto ilustrim

Nga e hëna Qeveria e Kosovës e ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia.

Njësitë Speciale të hënën në mëngjes janë vendosur në pikat kufitare me Serbinë, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak kështu duke mos lejuar që automjetet të hyjnë me targat e Serbisë ose “KS”.

Kështu me këtë masë këto targa duhet që të zëvendësohen me targa provuese.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitarë me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi”.

“Me qëllim të mundësimit të qarkullimit të lëvizjes së lirë, njoftohen qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën e qetë dhe pa incidente, ndërsa angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdoj në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat