Ursula Von der Leyen flet për situatën në veri të Kosovës: Shqetësuese, të ulen tensionet

Aktuale

Ursula Von der Leyen flet për situatën në veri të Kosovës: Shqetësuese, të ulen tensionet

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 13:16
Ursula Von der Leyen

(E plotësuar 15.35) - Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të martën se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe se të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet e t’i rikthehen dialogut. Ndërkohë që tha se mirëpret edhe “Ballkanin e hapur”, si iniciativë gjithëpërfshirëse.

Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka punuar në fushën e bashkëpunimit dhe ka pasur arritje, por që shtoi se është shqetësuese situata në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit në targa me Serbinë.

Leyen: Shqetësuese situata në veri të Kosovës, palët të rikthehen në dialog

“Rritja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shqetësuese, është thelbësore që të ulet ky tension dhe të kemi rikthim në dialog. Edhe BE u ndërtua mbi bazën e dialogut në fillimet e veta dhe u bauzar në zhvillimin ekonomik. Kjo solli zhvillim ekonomik e më pas edhe pajtim”, tha ajo.

Ajo shprehu mbështetjen e saj për nismën “Open Ballkan”, për çka tha se duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të mirëpritet si i tillë.

Leyen: Një ‘Open Ballkan’ gjithëpërfshirës do të ketë mbështetjen time të plotë

“Procesi i Berlinit ka filluar tashmë, por dhe në mënyrë që të ketë një integrim të tregut të përbashkët. Kjo është më se e drejtë. Ju keni edhe angazhimin tim në mënyrë që ta shtyjmë këtë proces, Procesin e Berlinit përpara. Pra, mund të ketë iniciativa, por këto iniciativa duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe që të respektojnë objektivin e përbashkët të këtij integrimi gjithnjë e më të fortë të tregut rajonal. Këto iniciativa duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duhet të mirëpriten si të tilla, duhet të jenë vizionare për të ardhmen dhe duhet të respektojnë objektivat e përbashkëta. Kështu do të kenë edhe mbështetjen time të plotë”, tha ajo.

Kurse kryeministri shqiptar, Edi Rama foli edhe njëherë për rëndësinë që sipas tij ka “Ballkani i hapur”, e që sipas tij, është mekanizëm i Procesit të Berlinit, dhe jo një proces tjetër më vete.

Duke folur për këtë, ai tha se kjo nismë ndryshe mund të quhet “I zoti e nxjerrë gomarin nga balta”. Ndërkohë që, duke aluduar Kosovën, Rama tha se kushdo që bashkohet më vonë në këtë proces vetëm se vonon shtetin dhe popullin e vet.

Rama: “Ballkani i hapur” shqip mund të quhet ‘i zoti e nxjerrë gomarin nga balta’

“Ky nuk është një proces i dytë, që konkurron me të parin apo që, aq më pak, bie ndesh me të parin. ‘Ballkani i hapur’ shqip mund të quhet ‘i zoti e nxjerrë gomarin nga balta’. Që do të thotë, Procesi i Berlinit, është iniciuar nga kancelaria e Gjermanisë, është përqafuar nga Be, është përqafuar nga KE, por nuk ecën dot me ritmin që ne duam, në rast se ne nuk marrim përsipër ta shtyjmë atë përpara, por vetëm presim që ta shtyjnë nga Berlini, Parisi apo nga Brukseli”, tha ai.

Ndërkohë që ai ka theksuar se “Ballkani i hapur” do të jetë hapësira ku të gjithë do të shkojnë.

Rama: “Ballkani i hapur” do të jetë hapësira ku të gjithë do të vijë

“Ballkani i hapur është i hapur për të gjithë. Kush don vjen, ama kush do nuk vjen, por nuk na merr peng të gjithëve. Sepse Procesi i Berlinit ka edhe këtë problemin e pengmarrjes, sepse nëse duam të 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshje, mjafton një të thotë s’dua dhe ne tjerët rrimë e presim[...]Ne duam ta çlirojmë potencialin ekonomik, potencialin shoqëror[...] ‘Ballkani i hapur’ do të jetë hapësira ku të gjithë do të vijnë, njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Kush vjen më vonë veç i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha ai.

***

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në konferencën e përbashkët që është duke mbajtur me kryeministrin Edi Rama nuk la pa komentuar edhe situatën në veri të Kosovës.

Ajo tha se situata është shumë shqetësuese dhe të dyja vendet duhet të ulin tensionet e të rikthehen në dialog.

"Keni punuar për çështjen e bashkëpunimit dhe keni pasur arritje. Rritja e tensioneve Kosovë-Serbi është shqetësuese dhe është thelbësore të ulet tensioni dhe të rikthehen në dialog. Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut dhe më pas në bazës e zhvillimit ekonomik.

Ky është një proces i gjatë që sjell një të ardhme me paqe dhe begati. E përgëzoj Shqipërinë për përparimin që ka patur në Reformën në Drejtësi. Duhet t’i hedhim sytë drejtë së ardhmes, por nuk duhet të harrojmë se çfarë është bërë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe e di që tani po punoni për luftën kundër pastrimit të parave", ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat