Prapaskenat e frikshme të alarmit të Ramës

Aktuale

Prapaskenat e frikshme të alarmit të Ramës

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 15:19
Edi Rama

Nëse dikush kërkon të shikojë më tej mbi lojën e nisur nga Edi Rama për të ashtuquajturën krizë energjitike, mjafton të shikojë mediat që janë rreshtuar pro tij.

Ka një “zë kritik” prej këtyre mbështetësve të qeverisë, të cilat i bëjnë “presion” të hapur kryeministrit që të mos “bëjë sikur s’ka ndodhur gjë” por të rrisë çmimin e energjisë elektrike sa më shumë që është e mundur.

E gjitha kjo është kleçka e madhe e asaj që po ndodh.

Siç dihet, tek ne politikat ekonomike të qeverisë varen vetëm nga humori dhe bilancet e kompanive të mëdha, që janë realisht shtrati i GDP-së së buxhetit, duke krijuar atë sistem vertical oligarkik.

E skenari në këtë rast duket i qartë, po i bëhet një presion shumë i fortë Edi Ramës, që të mos rrisë asnjë masë fiskale apo çmim për kompanitë e mëdha, por ose ta shtrijë për të gjithë, ose të rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Edi Rama, e di mirë këtë gjë, e mund ta kishte bërë menjëherë, sikur të ishte në nivelin e një viti më parë, kur jo vetëm grupin e tij parlamentar, por edhe “opozitën parlamentare” e mbante peng me pozitën e tij pas 25 prillit.

Mirëpo tani, që ai ka shpallur qeverinë e re, e ka miratuar e votbesuar, e ku ka prodhuar një fuqi negative shumë të fortë brenda PS-së, një miratim i masave antipopullore, do të bëhej një ‘kalë beteje’ jo vetëm për opozitat kundër tij që nga Basha e deri tek Berisha e Meta, apo edhe zëra të rinj opozitar, por më e rëndësishmja do të kishte një opozitë të fortë brenda PS-së.

Erion Braçe, e ka shpallur qartë e troç se nuk do të miratojë rritjen e çmimit të energjisë, por kërkon rritjen e taksave për oligarkët. Braçe, natyrisht që nuk është vetëm e mund të përfshijë edhe të pakënaqur të tjerë që nga Taulant Balla, që ishte i revoltuari i parë pas 25 prillit në PS e deri tek lobi i Erion Veliajt.

Ndaj njerëzit që përkrahin Ramën në media, po i bëjnë atij një presion për një ‘deal’ me Lulzim Bashën, që të pranojë një kompromis, me kusht që të rrisë profitin e kompanive të naftës apo të prodhimit a eksportimit të energjisë elektrike. Këto të dytat janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Skenari më i mundshëm, është që në kulmin e vjeshtës, kryesisht në nëntor, të improvizohet një krizë në formë katastrofe, me kufizime të mëdha energjitike, pas të cilave, qeveria të miratojë një buxhet emergjence, ku rritja e çmimit të energjisë elektrike të vijë si “e vetmja rrugë shpëtimi”. Kur në fakt, çdo zgjidhje duhet të vijë duke lehtësuar ata që janë në gjendje më të rëndë dhe shtërnguar ata që në këto vite kanë fituar pa masë.

Mirëpo Edi Rama, e ka varur në gjithë këto vite shpresën tek oligarkët që e kanë blerë realisht, duke ndikuar shumë në situata të komplikuara që ofronin shërbimet e tyre, e më pas natyrisht kanë fituar.

Por në këtë rast, ata duan të fitojnë nga kjo krizë, siç ndodh me çdo biznesmen. Natyrisht jo vetë, pra duke rritur performancën tregtare,  por nëpërmjet ndihmës së qeverisë, shkruan Pamfleti. E kështu, të sigurojnë një rritje të çmimit të energjisë, të paktën sa gjysma e rritjes që ka ndodhur në Greqi e në Itali. Po atje pensioni minimal është 1100 euro, e jo 100 euro…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat