Arrestimi i të dyshuarve për terrorizëm, kjo është kërkesa e Tomë Gashit për klientin e tij

Aktuale

Arrestimi i të dyshuarve për terrorizëm, kjo është kërkesa e Tomë Gashit për klientin e tij

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 14:24
Tomë Gashi

Avokati i të dyshuarit për terrorizëm N.S, Tomë Gashi, gjatë një prononcimi për medie ka kërkuar që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri, me arsyetimin se nëse i njëjti kishte dashtë me ikë, e kishte këtë mundësi.

“Për veprën e njëjtë, para katër viteve është liruar, është mbajtë diku rreth 120 ditë i paraburgosur. Ky është rreth moshës 24 vjeçare dhe nëse kishte dashtë me ikë, ka pas mundësi”, është shprehur Gashi.

Sipas avokatit Tomë Gashi, Policia dhe Prokuroria, e kanë ndërlidhur të dyshuarin N.S. me personat e tjerë, por veprime konkrete nuk kanë asgjë dhe se tani po presin për vendimin e gjyqtarëve.

‘‘Mendoj që janë krijuar dëme të pariparueshme”, tha ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të dielën ka arrestuar pesë persona nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka dorëzuar kërkesën e paraburgimit për pesë të dyshuarit, me arsyetimin se të njëjtit mund të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale para të cilës ndodhen dhe në këtë mënyre mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policia e Kosovës (PK) kishin njoftuar lidhur me arrestimin e pesë personave, nën dyshimet për veprat penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës, si “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”.

Ata dyshohen edhe për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq një ditë më parë, më 11 tetor, PSRK dhe PK njoftuan për sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat