Në shtetin e Albin Kurtit nuk bëhen kalkulime për vota e pushtet

Aktuale

Në shtetin e Albin Kurtit nuk bëhen kalkulime për vota e pushtet

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 13 tetor 2021 Në ora: 17:50
Kryeministri Albin Kurti

Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri të Mitrovicës dhe në qytete të tjera të Kosovës nuk doli të jetë edhe aq i zakonshëm.

Kjo pasi pjesa veriore e Mitrovicës, që nga paslufta ishte djep i krimit të organizuar dhe kontrabandës, derisa ishte shumë e vështirë që të depërtonte dora e shtetit atje.

Policia ndërmori një aksion kundër kontrabandës dhe njëjtë sikurse në komunat e tjera veproi edhe në Mitrovicën e veriut.

Kjo zgjoi reagime të një pjese të qytetarëve të kësaj komune, të cilët në mënyrë të dhunshme kundërshtuan aksionin e policisë. U lënduan policë e gazetarë.

Një aksion që në kushte normale do të konsiderohej i rëndomtë, shpërfaqi edhe njëherë urrejtjen dhe qasjen shoviniste të Serbisë ndaj Kosovës.

Është e habitshme se si subjekte të caktuara politike në Kosovë, janë të një mendimi me Serbinë. Etja e tyre për pushtet i bën të mendojnë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës ndërlidhet me zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.

Se kështu janë mësuar ata, zakonisht pak para zgjedhjeve kemi qenë dëshmitarë të premtimeve megalomane të tyre, si për punësim, mirëqenie, sjellje të njohjeve, investime milionëshe etj.

Ata nuk mund ta besojnë që dora e shtetit po ndjehet fort edhe në pjesën veriore, sepse në të kaluarën para se të vinin në pushtet çdo veprim i tyre kalkulohej nëse do të përkthehej në vota të elektoratit.

Pra, deklaratat që i dhanë sot, dëshmojnë se nga kush është drejtuar vendi për 20 vite me radhë, si dhe kush e ka renditur Kosovën të parën në raportet e organizatave ndërkombëtare për shkallë të lartë të krimit e korrupsionit. e për sistem të dështuar të drejtësisë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkimit Evropian çdo ditë e më shumë po anojnë hapur kah Serbia. Po i dalin në mbrojtje edhe atëherë kur ajo po e kërcënon Kosovën me luftë.

Një nga kriteret e BE-së për liberalizmin e vizave për shtetin e Kosovës është edhe luftimi i krimit të organizuar.

Policia e Kosovës nuk bëri sot asgjë më tepër se sa një veprim për ta zbatuar këtë kriter, brenda territorit të saj.

Në vend se Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Josep Borrell, ta qortojë Serbinë për orkestrimin e skenarëve për destabilizimin e Kosovës, i quan të njëanshme veprimet e shtetit të Kosovës.

Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, Borrell në Twitter.

Duke parë qasjen e BE-së karshi Kosovës, një lehtësim i madh mund të konsiderohet reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për ngjarjen e sotme.

Në një përgjigje për media, një zëdhënës ka thënë se Uashingtoni është i shqetësuar me mënyrën se si është kundërshtuar sot përpjekja e institucioneve të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në të gjithë territorin e Kosovës.

Pra, SHBA nuk thotë se duhet pyetur Serbia për veprimet që Kosova i bën brenda territorit të saj.

SHBA është mbështetja më e fortë për Kosovën.

Ky është edhe një sinjal më tepër se pavarësisht animit të BE-së kah Serbia, SHBA do të luajë rol kyç në arritjen e marrëveshjes përfundimtare të Kosovës me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat