Ngjarjet në veri dominojnë diskutimet në OKB

Aktuale

Ngjarjet në veri dominojnë diskutimet në OKB

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:40
Salla ku mbahen mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i tha Këshillit të Sigurimit se ka pasur mungesë komunikimi nga ana e Prishtinës për aksionin në veri për të zbatuar vendimin e reciprocitetit për targa në fund të muajit shtator.

Sipas tij, komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it si mekanizëm për ruajtjen e paqes, nuk iu kishte dhënë njoftim paraprak për aksionin e policisë.

Kam ngritur zërin kundër veprimeve të njëanshme dhe që të mirren hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve dhe përfshirjen në dialog”, tha Tanin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila po i zhvillon punimet të premten (15 tetor) për të shqyrtuar raportin gjashtë mujor të shefit të UNMIK-ut.

Tanin foli edhe për aksionin e dy ditëve më herët për luftimin e kontrabandës së mallrave për të cilin tha se ende është pikëpyetje nëse KFOR-i ishte i paralajmëruar për këtë aksion.

Aksioni, sipas tij provokoi sërish trazira në atë pjesë të Kosovës.

Në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Osmani: Qëllimi i dialogut, njohja reciproke e jo statusi i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shteti i saj është i angazhuar me dialogun me Serbinë dhe, Kosova, sipas saj është avokuese e paqes.

“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tavolinën (e bisedimeve), por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në dialog ku qëllimi përfundimtar është njohja reciproke. E çka nuk është qëllimi është që ky dialog do të shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë (Serbia) për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, tha ajo.

Ajo kërkoi që Serbia të inkurajohet që të shkojë në bisedime “me mendje të hapur” dhe me ide që, sipas Osmanit, do të lëviznin përpara dialogun.

Presidentja Osmani tha se Serbia duhet “ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë”.

“Dialogu është në mes të dy palëve të barabarta, që duhet të trajtohen kështu. Por, më e rëndësishmja, ky dialog ka të bëjë me përfituesit, që janë qytetarët e të dy shteteve, për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për ta”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli edhe për aksionin kundër kontrabandës dhe theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe se aksioni i fundit në veri të Kosovës ka qenë i përbërë nga zyrtarë të zbatimit të ligjit nga komuniteti shqiptar dhe serbë.

“Lufta kundër këtij krimi është shumetnike, policë serbe e shqiptarë, prokurorë shqiptarë e serbë po e luftojnë së bashku krimit”, tha Osmani në Këshillin e Sigurimit.

Ajo citoi deklaratën e KFOR-it në të cilën thuhej se policia ka autoritet të plotë për të marrë aksione kundër krimit të organizuar dhe për ta bërë këtë nuk kanë nevojë për leje. Gjithashtu përmendi edhe deklarimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që e kanë përkrahur Kosovës në përpjekjet kundër krimit të organizuar.

Ajo tha se Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë pasi kjo e fundit për vite me rradhë detyronte qytetarët e Kosovës të ndrrojnë targat e tyre.

“Kur Kosova zbatoi reciprocitetin Serbia dërgoi ushtrinë në kufi me Kosovën”, theksoi Osmani.

Selakoviq: Serbët po sulmohen dhe frikësohen

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq tha se situata e sigurisë në Kosovë ka qenë e karakterizuar me incidente ku janë shënjestruar serbët.

”Institucionet e përkoshme vetëqeverisëse vazhdojnë të marrin hapa të njëanshëm dhe refuzojnë zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Selakoviq.

Sulmet ndaj serbëve dhe kishave ortodoke kanë vazhduar.

Duke folur për situatën në veri ai tha se “inkursioni i fundit i njësisë Rosu (v.j. njësitet speciale të Policisë së Kosovës) në veri të Mitrovicës është nënti i këtij lloji dhe kjo është bërë jetesë e çdo ditshme e serbëve e cila duhet të ndalet menjëherë".

“Përmes armëve dhe gazit që është përdorur në veri së fundi ka pasur edhe viktima”, tha Selakoviq, duke shtuar se Serbia është kundër kontrabandës po Këshilli i Sigurimit, sipas tij, duhet ta dij që një qëllim i tillë është përdorur në mënyrë cinike për sulm ndaj popullatës serbe.

“Inkursionet e fundit të policisë kanë qenë për të provokuar serbët dhe për të intimiduar ata dhe të provokojnë Beogradin që të reagojë”, tha Selakoviq.

Ai tha se Serbia është e interesuar për zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mirëpo Prishtina nuk po i zbaton marrëveshjet nga ky dialog përfshirë atë për për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Është ky një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Raporti përfshin periudhën 16 mars - 15 shtator, 2021.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestuan dhunshëm për shkak të një operacioni anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës.

Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve u lënduan 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.

Në këtë takim po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat