KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër komuna

Aktuale

KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër komuna

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 10:31
KQZ-ja shpërndan fletëvotimet nëpër komuna

(E plotësuar 10:44) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor. Në mesin e tyre edhe fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen nesër.

Nga zyrat qendrore të KQZ-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, këto materiale do të dërgohen në depot e komisioneve komunale në 38 komuna.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar se sa është numri i fletëvotimeve që janë shtypur.

Elezi: Materialet do të dërgohen në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve

"Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Ky material i rëndësisë së veçantë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, do të dërgohet në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, në 38 komuna. Sipas vendimit të KQZ-së, për Zgjedhjet për kryetarë të Komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, dhe po kaq edhe për Zgjedhjet për Kuvende Komunale", ka thënë Elezi.

Më tej, ai ka bërë të ditur se për këto zgjedhje janë shtypur rreth 10 për qind më pak fletëvotime.

Elezi: Janë shtypur rreth 10 për qind më pak fletëvotime

"Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur rreth 187 mijë fletëvotime më pak se votues apo rreth 10%. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në muajin shkurt, ishin shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve", ka shtuar ai.

Zgjedhjet komunale do të mbahen nesër në 38 komuna të Kosovës. Numri i votuesve të rinj të cilët votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues. Sot është heshtje zgjedhore, ndërkaq partitë politike kanë përmbyllur mbrëmë fushatën zgjedhore që ka nisur më 16 shtator.

KQZ-ja shpërndan fletëvotimet nëpër komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka nisur të shtunën që të shpërndajë materialin zgjedhor – përfshirë fletëvotimet – për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.

Kush, sa komuna i fitoi më 2017?

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 më së shumti komuna ka fituar subjekti politik Lista Serbe, gjithsej 10: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Gracaniça, Kllokot, Novobërdë, Partesh dhe Shtrëpcë.

Lista Serbe është pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me tetë komuna të fituara: Fushë Kosovë, Gjilan, Istog, Lipjan, Pejë, Viti, Vushtrri dhe Podujevë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar shtatë komuna: Deçan, Gjakovë, Junik, Klinë, Obliqi, Rahovec, dhe Suharekë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar udhëheqjen e pesë komunave: Dragash, Gllogoc, Ferizaj, Kaçanik dhe Shtime.

Ndërkaq, tri komuna i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje (LVV): Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën. Por, më vonë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Kamenicës, Qëndron Kastrati janë larguar nga LVV.

Një komunë e ka fituar Nisma Socialdemokrate, përkatësisht Malishevën dhe një Partia Demokratike Turke, përkatësisht Mamushën.

Hanin e Elezit e ka fituar kandidati i pavarur, Refki Suma, ndërkaq Skenderajin, kandidati i pavarur, Bekim Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat