Nesër votojnë edhe të burgosurit

Aktuale

Nesër votojnë edhe të burgosurit

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 18:35
Foto ilustrim

Si në të gjithë vendin, me 17 tetor procesi i votimit do të zhvillohet edhe në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, ku për momentin janë 1 mijë e 637 të burgosur.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka bërë të ditur se do të përkujdesen për krijimin e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Siç tha ai, listat e votuesve dhe materialet do të sigurohen nga KQZ-ja.

“Në koordinim të SHKK-së dhe KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet nëpër të gjitha institucionet korrektuese, SHKK do të kujdeset për krijim e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit, ndërsa listat e votuesve dhe materialet zgjedhore do të sigurohen nga KQZ”, tha Gashi.

Tutje, ai bëri të ditur se aktualisht në institucionet korrektuese janë 1637 persona të burgosur.

“Të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide. Nga ky numër i të burgosurve përjashtohen të miturit nën moshën 18 vjeçare dhe shtetasit e huaj”, tha Gashi.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundëson pjesëmarrjen në votime edhe të personave që për rrethana specifike nuk mund të shkojnë në vendvotim.

Qasja në këtë shërbim varet nga kategoria të cilës i përkasin, e cila është përshkruar më poshtë, ndërsa votimi mundësohet përmes ekipeve mobile të cilat shkojnë në shtëpi apo institucionet përkatëse për të mundësuar votimin e personave që votojnë në këtë mënyrë.

Kjo përfshinë edhe të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat