Pasi e mori raportin e Progresit për Kosovën, flet kryeministri Kurti

Aktuale

Pasi e mori raportin e Progresit për Kosovën, flet kryeministri Kurti

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 15:36
Konferenca per media

(E plotësuar 20:21) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar të martën Raportin e Progresit - të përpiluar nga Komisioni Evropian - për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Kurti ka pranuar raportin në një takim që ka pasur me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryeministri Kurti ka konsideruar se në gjashtëmujorin e dytë, Kosova ka shënuar shumë përparim, periudhë kur ka nisur udhëheqjen Qeveria e tij.

Ai ka përmendur dy proceset e fundit zgjedhore - në shkurt dhe tetor - duke i konsideruar si transparente dhe me garë demokratike.

“Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm e rajonit, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti, në konferencë për media.

Ai ka thënë se në fushën e sundimit të ligjit janë marrë një sërë vendimesh, të cilat do të forcojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kurti ka përmendur edhe fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit.

“Dje (18 tetor), numri i të vaksinuarve ka arritur shifrën 1.5 milion, dhe ne mbetemi vendi i parë në rajon sa i përket popullatës së vaksinuar, që paraqet progres të pamohueshëm”, ka thënë mes tjerash ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë në konferencë për media se Kosova duhet të arrijë rezultate të prekshme në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, reforma në administratë e tjera.

Ai ka thënë se nuk ka rrugë të shkurtër në rrugën drejt BE-së.

“Përparim i limitur është parë në sistemin gjyqësor. Sfidë mbeten reformat administrave, të cilat janë të cenueshme nga ndikimet politike”, ka thënë Szunyog.

Ky raport përfshin gjetjet për të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Në raportin e këtij viti është parë përparim i kufizuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti është prezantuar nga Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Gjatë prezantimit, Komisionari Varhelyi ka thënë se politika e BE-së për zgjerimin është interes strategjik i bllokut evropian për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Raportet janë hartuar për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë) si dhe Turqinë.

Ky dokument, si në vitet e mëparshme, ka paraqitur një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

“Kosova, pak progres në shumë fusha”

Në raportin e këtij viti është thënë se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Sipas raportit, jostabiliteti politik dhe pandemia kanë ndikuar në përparim të kufizuar sa i përket agjendës së reformave evropiane të Kosovës.

Në konferencë për media, Kurti ka thënë se nuk pret të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në muajin tetor.

Aty është përmendur edhe jostabiliteti politik në Kosovë, më konkretisht “atmosfera polarizuese politike”.

Komisioni Evropian ka theksuar edhe situatën në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe sipas tij, situata në këtë pjesë është ende sfiduese.

Bashkimi Evropian beson se Kosova ka disa nivele të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, ndonëse në faza të hershme.

Komisioni Evropian, megjithatë ka thënë se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka pasur kritika për sistemin gjyqësor, pasi sipas tij, administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”.

Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që është miratuar në gusht të vitit 2021.

***

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar sot kryeministrit kosovar Albin Kurtit, Raportin e Progresit, për të cilin tha se jep rekomandime dhe rezultate nga puna qeverisë.

Mes tjerash Szuyong theksoi përparimin e Kosovës në drejtim të disa reformave siç është lufta e korrupsionit dhe vendime përfundimtare në gjykata.

Tutje, ambasadori i BE-së foli edhe për procesin e dialogut dhe ecurinë e dy shteteve në këtë drejtim.

”Këtë javë ekspertët për çështjen e targave do takohen në Bruksel, dhe më duhet të them që BE e monitoron dialogun dhe varet nga Prishtina dhe Beogradi se si ata bien në dakord për shpejtësinë e negociatave”.

Ndërsa sa i përket kundërshtimeve të paraqitura në raport për procesin e Vettingut, ai tha se vetëm kanë dhënë rekomandime për hartimin e këtij procesi.

Szunyog tha se BE-ja nuk vë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit, kur u pyet për reagimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në disa komuna në vend, përfshirë edhe në veri.

“Nuk shoh kundërthënie në këto kërkesa dhe raporte, me deklaratën e lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Si BE nuk e vëmë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit. I bëjmë thirrje Qeverisë që të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim”.

***

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, tha Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, jep rekomandime dhe rezultate nga puna Qeverisë që ka të bëjë me drejtësinë, sundimin e ligjit, e reforma në administratën publike.

“Sot u publikua një raport i cili është rezultat i një vlerësimi të përgjithshëm duke u rekomanduar që të jepen rezultate të përgjithshme në drejtësi, sundimin e ligjit, reforma në administratën publike. Ky raport jep mirënjohje në disa fusha por që është e qartë se reformat duhet të zbatohen në mënyrë efektive që të sjellën rezultate të thella. Si rezultat i pandemisë, raporti jep disa arritje të kufizuara por megjithatë një progres kemi parë tek sistemi gjyqësor siç është ai i sundimit të ligjit”, tha ai.

Tutje Szuyong theksoi përparimin e Kosovës në drejtim të disa reformave siç është lufta e korrupsionit dhe vendime përfundimtare në gjykata.

Ai po ashtu tha se Kosova do vazhdoj ta mbështes vendin në çdo rrugë duke u bazuar në rekomandimet e Be-së për këto muaj në vazhdim.

***

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit tha se në raport thuhet se Kosova ka shënuar progres.

Me këtë rast kryeministri i vendit tha se Kosova ka arritur progres me qeverisjen e tij në shtet ndërtimin dhe krijimin e institucioneve.

“Në rrjedhën e sqarimit të ambasadorit Szunyoug unë do të flas për periudhën e qeverisjes tonë ku shënuam shumë progres. Në fundjavën që lamë pas mbajtëm zgjedhje dhe edhe këtë herë dëshmuam transparencë të plotë. Vetëm 37 ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit zgjodhëm kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Gjithashtu vetëm 13 ditë ende pa u bërë dy javë ne zgjodhëm edhe presidenten e Republikës, e cila është gruaja e dytë presidente. Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi legjitimitet demokratik dhe besueshmëri në institucione nga ana e qytetarëve, që do ta kishin zili jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE-së”.

Tutje Kurti përmendi shkatërrimin e grupeve kriminale, menaxhimin e pandemisë dhe ekonomia, që ai i quan suksese të Qeverisë.

“Nga 23 marsi kur edhe kemi marrë detyrën kemi shkatërruar 29 grupe kriminale, një rezultat që dallon nga fillimi i fushës, po ashtu edhe në menaxhimin me Covid-19 kemi pasur pak raste dhe vetëm një të vdekur në këto ditë, duke mbetur vendi i parë në rajon sa i përket procesit të vaksinimit. Janë rritur eksportet dhe numri i punëtorëve është rritur po ashtu. Edhe në fushën e administratës publike kemi racionalizuar katër agjenci”

“Kemi hequr homologimin e veturave dhe demopolizimin e terminaleve doganore, që nga viti i ardhshëm do të bëhet në nivel vendi. Kemi marrë vendime edhe për shtesat e lehonave dhe arsimi i lartë të jetë pa pagesë. Së bashku do ecim përpara me një partneritet të përbashkët edhe me BE-në”, tha Kurti

***

Kryeministri Kurti është takuar me  shefin e Zyrës së BE-së Tomas Szunyog.

Szunyog i ka dorëzuar raportin e progresit, shkruan "Bota sot".

Pas takimit, ata janë duke e mbajtur një konferencë për media

Detaje nga Raporti i Progresit për Kosovën, përmendet Asociacioni dhe marrëveshja finale me Serbinë

Komisioni Evropian të martën (19 tetor) prezantoi Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.

Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, konstatoi vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti u paraqit nga Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi - autor i paketës.

Gjatë prezantimit komisioneri Varhelyi tha se politika e BE-së për zgjerimin është interes strategjik i bllokut për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në këtë rajon.

“Është proces i bazuar në merita, të cilit ne ia japim një vlerësim faktik dhe të drejtë, si dhe një udhërrëfyes të qartë për t'i përshpejtuar dhe thelluar reformat te partnerët tanë. Kjo është në përputhje me metodologjinë tonë të rishikuar të zgjerimit dhe e shton besueshmërinë e procesit”, tha ai.

Paketa mbulon gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.

KE publikon këtë raport një herë në vit dhe tregon situatën në të gjitha fushat kryesore, ku reformat janë të nevojshme që këto vende të përparojnë në procesin e integrimit evropian.

Ky dokument, si në vitet e mëparshme, paraqet një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

KE: Kosova, pak progres në shumë fusha

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.

Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.

Raporti tha se jostabiliteti politik dhe pandemia ndikuan në përparimin sa i përket zbatimit të agjendës së reformave evropiane të Kosovës, që sipas dokumentit ka qenë i kufizuar.

Prandaj Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane.

Raporti i Progresit për Kosovën thekson jostabilitetin politik në Kosovë. Aty përmendet edhe zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës në muajin mars, por theksohet se në pjesën më të madhe të periudhës që përfshin ky raport, ka pasur një “atmosferë polarizuese politike”.

KE-ja po ashtu vë theksin te situata në veri të Kosovës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.

Bashkimi Evropian thotë se Kosova ka disa nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, por që janë në fazë të hershme.

“Gjatë periudhës së raportimit, është bërë përparim i kufizuar, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimi i rasteve të nivelit të lartë”, thekson KE-ja. Po ashtu, në luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar.

Komisioni Evropian, megjithatë tha se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, “veçanërisht në rehabilitimin dhe riintegrimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre”.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka kritika për sistemin gjyqësor, pasi administrimi i drejtësisë vlerësohet se vazhdon të jetë “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve politike”. Si pikë pozitive është parë Strategjia për Sundimin e Ligjit dhje Planin e Veprimit, që u miratua në gusht të vitit 2021.

Por, synimet e Kosovës për të bërë vetting në gjyqësor vetëm një herë është parë me “shqetësim” nga KE-ja.

Në raport po ashtu flitet për përparimin që ka bërë Kosova sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjes së investimeve në energjinë e ripërtërishme, por “burimet e energjisë me bazë në qymyr vazhdojnë të jenë shqetësuese”.

KE-ja sërish ka thënë se reforma në administratën publike është urgjente.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Raporti i KE-së thotë se Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka pluralizëm të mediave. Megjithatë, ka shqetësime lidhur me fushatat e shpifjes, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

“Mungesa e vetëfinancimit të qëndrueshëm, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19, i lë mendiat e ndjeshme ndaj interesave politike dhe biznesore. Transmetuesi publik po ashtu është i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket financimit të tij”, thuhet në raport.

Serbia kritikohet për luftën kundër krimet e korrupsionit

Në raportin për Serbinë, pos vlerësimeve për kapitujt që analizon Komisioni, vend ka zënë edhe dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Sa i përket normalizimit të raporteve me Kosovën, dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka vazhduar me takimet në nivel të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik të vitit 2021 si dhe tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës që përfshin raporti, të dyja palët kanë emëruar kryenegociatorët e ri dhe ekipet negociuese” thuhet në raport.

“Serbia duhet të bëjë përpjekje tjera domethënëse për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues të raporteve me Kosovën”, shtohet në raport.

Sa i përket raporteve me vendet fqinje thuhet se “Serbia në përgjithësi ka vazhduar të jetë e përkushtuar për bashkëpunim me vendet fqinje nga procesi i zgjerimit dhe vendet e Bashkimit Evropian”. Për raportet me Malin e Zi thuhet se kanë qenë të tensionuara.

Serbia ka shënuar vetëm “përparim të kufizuar” në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problem është theksuar sidomos numri i vogël i dënimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurisë për personat e përfshirë në krim të organizuar.

Komisioni Evropian në këtë raport të progresit shprehet i shqetësuar edhe për vazhdimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe në përgjithësi me gjendjen e lirisë së shprehjes.

Raporti i Progresit konstaton se sjellja e Serbisë në përshtatje të qëndrimeve me BE-në në politikën e jashtme mbetet e pandryshuar.

“Një numër veprimesh të Serbisë kanë shkuar kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme. Ne vitin 2020 përshtatja e Serbisë me deklaratat relevante të Përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së dhe vendimet e Këshillit ka qenë 56 për qind, por është rritur në vitin 2021 në 61 për qind”, thuhet në raport.

Serbia e ka statusin e vendit kandidat nga viti 2012, ka nisur negociatat e anëtarësimit në vitin 2014, por deri tash ka hapur vetëm 18 nga gjithsej 35 kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy. Në kapitullin 25 për Serbinë është vendosur edhe kushti për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën.

Edhe në këtë raport përsëritet se “dinamika e përgjithshme e negociatave do ta vazhdojë të varet në veçanti nga dinamika e reformave në sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve të Serbisë me Kosovën".

Shqipëria bën përparim në gjyqësor

Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore teksa ka vazhduar zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore, theksohet në Raportin e Progresit.

Një prej arritjeve kryesore në gjyqësor konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarëve në mënyrë që të mbajë mbledhje

Sa i përket vetting-ut, raporti thekson se 62 për qind e rasteve që u janë nënshtruar vetting-ut kanë rezultuar ose në shkarkim apo largim nga puna.

KE-ja thotë se Shqipëria ka shënuar përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke shënuar rezultate të mira në këtë drejtim.

Megjithatë, kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në raport.

KE-ja po ashtu vë në pah se numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria ka rënë për 66 për qind më 2020 krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20,415 në 6,935 azilkërkues.

KE: Maqedonia e Veriut e përkushtuar për ta forcuar sundimin e ligjit

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian thotë se Shkupi ka vazhduar përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit përmes disa politikave kyçe dhe ligjeve. KE-ja vlerëson se kur kanë qenë në pyetje ligjet e lidhura me BE-në, ato kanë kaluar në parlament edhe me mbështetjen e opozitës.

Sa i përket administratës publike – që në të kaluarën ka qenë një prej kritikave kyçe të BE-së – KE-ja thotë se është bërë përparim në finalizimin e rishikimit funksional në administratën publike, por duhet bërë më shumë punë, veçanërisht në punësimin e njerëzve në administratë në bazë të meritave dhe jo për shkak të nepotizmit apo ndikimeve politike.

Përparim është shënuar edhe në gjyqësi ku përmendet zbatimi i strategjisë së gjyqësorit, duke u bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Progres po ashtu thuhet se është shënuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe luftimit të terrorizmit, megjithatë kërkohet ende të punohet në këtë drejtim.

Maqedonia e Veriut, si shtet që po pret të nisë bisedimet me BE-në, në raport thuhet se këtë vit ka bërë përparim sa i përket sektorit të energjisë, veçanërisht në zbatimin e agjendës së gjelbër për të cilën, shtetet e Ballkanit Perëndimor u pajtuan gjatë Samitit të Sofjes në dhjetor të vitit 2020.

Shqetësime për tensionet politike në Mal të Zi

Në pjesën për Malin e Zi në Raportin e Progresit, vend kyç zënë tensionet dhe mosbesimi ndërmjet aktorëve politikë. KE-ja thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë prezentë gjatë tërë vitit 2020 u intensifikua më shumë pas zgjedhjeve.

“Mungesa e angazhimit konstruktiv të të gjithë aktorëve parlamentarë ka parandaluar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik”, thuhet në raport, ku përmendet edhe bojkotimi i seancave parlamentare të deputetëve të shumicës më 2021.

Raporti thekson se Parlamenti në Mal të Zi duhet të dëshmojë se është i përkushtuar në agjendën e reformave evropiane.

Po ashtu, raporti thekson se ky shtet ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksohet se nuk është shënuar përparim sa i përket reformave kyçe gjyqësore.

Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj radhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo.

Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtet edhe ndihmën që e ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.

Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit..

Bosnja dhe Hercegovina nuk shënon përparim

Raporti i KE-së nxjerr Bosnjë e Hercegovinën si vendin që ka shënuar më së paku përparim në shumë fusha. Në raport thuhet se ky shtet nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, lirisë së shprehjes, reformës zgjedhore, marrëdhënieve me jashtë si dhe ka pasur kthim prapa në fushën e prokurimit publik.

Sa i përket kriterit politik, autoritetet ekzekutive dhe legjislative kanë pasur “efekt të dobët për shkak të polarizimit politik” dhe problemeve që shfaqi pandemia COVID-19.

Raporti i Progresit thekson se Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës vazhdon të shkelë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas rastit Sejdiq-Finci dhe rasteve të tjera. Për këtë rast, më 2009, Gjykata Evropiane kishte konstatuar se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Në raportin e Progresit ndërkaq thuhet se mungesa e përkushtimit të aktorëve politikë dhe funksionimi i dobët i sistemit gjyqësor po vazhdon të minojë të drejtat e qytetarëve dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti po ashtu përmend krizën humanitare me migrantë në dhjetor të vitit 2020, që shtyu që të ngrihej një kamp i përkohshëm në Lipa për të strehuar migrantët. BE-ja kërkon nga Bosnja që të ketë koordinim më të mirë dhe manyxhim më të mirë të kufirit dhe të ngrehë një sistem më funksional për azilkërkuesit.

***

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim në dialog, konstaton Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për këtë vit, të publikuar sot. Në këtë raport, Kosovës i përmendet se duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta arrijë një marrëveshje finale me Serbinë, e cila përshkruhet si urgjente.

Raporti përmend se përparimi fillestar në dialog ishte bërë në vitin 2020, kur palët u dakorduan për ta zgjidhur çështjen e personave të zhdukur dhe të zhvendosur, për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe për ta trajtuar çështjen e pretendimeve pronësore e financiare.

Në raportin e këtij viti, Komisioni Evropian inkurajon Qeverinë e Kosovës që të angazhohet në procesin e dialogut dhe t’i rinis negociatat për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

“Gjatë periudhës raportuese, nuk është arritur përparim i mëtejshëm në negociatat mbi marrëveshjen e normalizimit gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese. Përparimi fillestar në marrëveshje ishte bërë në vitin 2020, kur palët ranë dakord t’i zgjidhin përkohësisht çështjet e personave të zhdukur, personave të zhvendosur, për bashkëpunimin ekonomik dhe fillimin e negociatave për pretendimet pronësore dhe financiare. Qeveria e re e Kosovës inkurajohet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe t’i rinis negociatat për marrëveshjen e normalizimit gjithëpërfshirës”, thuhet në raport.

Tutje, përmendet edhe marrëveshja e fundit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve, duke nënvizuar se “BE-ja pret që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë proces për ta siguruar lirinë e lëvizjes për qytetarët.”

Komisioni Evropian ia kujton Kosovës se duhet t’i zbatojë në plotëni marrëveshjet e nënshkruara më parë me Serbinë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë të fundit, KE-ja vlerëson se s’është bërë asnjë përparim.

“Kur bëhet fjalë për gjendjen e në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara: Gjatë periudhës raportuese, dispozitat e marrëveshjes nuk janë respektuar nga Kosova në një rast; Gjatë periudhës raportuese, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatim të Marrëveshjeve të 25 gushtit 2015. Asnjë përparim nuk është bërë në lidhje me Asociacioni/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe Kosovës ende nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në krijimin e tij”, theksohet në Raportin e Progresit.

Komisioni Evropian përmend edhe marrëveshjet e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë gjatë periudhës 2011-2012, të cilat ende nuk kanë gjetur zbatim nga palët. Kosova dhe Serbia thirren t’i zbatojnë ato marrëveshje.

“Sa i përket marrëveshjeve të dialogut teknik (2011-2012), disa nuk janë ose vetëm pjesërisht duke u zbatuar. Të dyja palët duhet të qëndrojnë të angazhuara për ta vazhduar zbatimin e marrëveshjes për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale. Zbatimi i njohjes së diplomave kadastrale dhe universitare është ende në pritje”, thuhet ndër tjerash në raport.

Në fund, Kosova kritrikohet tërthorazi për çështjen e vizitave të zyrtarëve serbë si dhe për “veprimet e njëanshme”.

“Kosova duhet të respektojë rregullisht aranzhimet për vizitat zyrtare. Në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, Qeveria e Kosovësduhet të respektojë angazhimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara… Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për t’u përmbajtur nga çdo veprim i njëanshëm dhe kontributi në një mjedis të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, përfshirë në të marrëdhëniet ndërkombetare”, thekson raporti.

Komisionerët evropianë, siç thonë në këtë raport, presin që “Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociatat për marrëveshjen e normalizimit ligjërisht detyruese në periudhën e ardhshme në mënyrë që të bëhet progres i shpejtë dhe konkret.”

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në fund të raportit në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

***

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2021 për Kosovën. Në raport theksohet situata në veri të vendit, e cila vlerësohet si sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.

Po ashtu raporti vë në pah edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku thuhet se Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë.

Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja, raporti thekson se “Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë”.

Sipas Raportit, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

Ky është Raporti i plotë i KE-së për Kosovën:

Gjetjet kryesore të Raportit të vitit 2021 për Kosovën

Aspektet themelore të procesit të aderimit

Në kuptimin e kritereve politike, pjesa më e madhe e periudhës raportuese në Kosovë u shqua me paqëndrueshmëri politike. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt 2021, me një shumicë të fortë parlamentare të paprecedent, u formua qeveria e re.

Gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, aktivitetet legjislative ishin të kufizuara për shkak të kësaj paqëndrueshmërie politike, duke përfshirë përpjekjet për reforma në lidhje me BE-në. Adoptimi i fazës së dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2) dhe Planit të Veprimit, miratuar nga Kuvendi në tetor 2021, dhe një fokus i qëndrueshëm qeveritar, konfirmoi trendin pozitiv të zotimit të përtërirë të Kosovës ndaj reformave në lidhje me BE-në.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori 2020 që e konstatoi të pavlefshme zgjedhjen e qeverisë së mëparshme në qershor 2020, u shpërnda Kuvendi dhe zgjedhjet e parakohshme u mbajtën në shkurt 2021. Pas fitores bindëse të një aleance opozitare të udhëhequr nga partia Vetëvendosje, shumica e re në Kuvend miratoi një qeveri të re në mars 2021.

Në nëntor 2020, u ngrit aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës në detyrë dhe ai u arrestua me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Më pas ai dha dorëheqjen nga detyra. Kryetarja e atëhershme e Kuvendit u bë ushtruese e detyrës së Presidentit, në përputhje me Kushtetutën, përpara se të zgjidhej nga legjislatura e re për të shërbyer një mandat të plotë presidencial në prill 2021.

Për një pjesë të madhe të periudhës raportuese, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e shumicës efektive qeveritare dhe mungesa e kuorumit preku rëndë vendimmarrjen në Kuvend. Ekziston nevoja që Kuvendi të përmirësojë kuadrin e vet rregullator, duke përfshirë rregulloren e punës. Kuvendi mbeti i hapur gjatë pandemisë, duke respektuar masat e mbrojtjes së shëndetit.

Në përgjithësi, zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të mirë-administruara, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive. Procesi zgjedhor i Kosovës vazhdon të ketë nevojë për forcim të gjithanshëm për të adresuar dobësitë e kamotshme gjatë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar nga misionet e njëpasnjëshme vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja që nga viti 2014. Forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi financimin e fushatave dhe partive politike mbetet një fushë në pritje që ka nevojë për reformë.

Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.

Ekziston një niveli i përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike, por nuk ka pasur përparim në këtë drejtim gjatë periudhës raportuese, duke pasur parasysh ndryshimet e shpeshta të qeverisë. Ligji për Zyrtarët Publikë hyri në fuqi në qershor, por nuk u bënë përpjekje të ndjeshme për të filluar implementimin e tij veçanërisht në lidhje me rekrutimet. Krijimi i një departamenti qendror efektiv të rekrutimit u vonua. Ndikimi i pavend politik mbi emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të lartë publikë dhe nëpunësve civilë është vërejtur në disa raste dhe Kosova ka përmbushur vetëm disa nga zotimet e saj për kriteret e bazuara në merita. Nuk është bërë përparim në adresimin e pabarazive në sistemin e pagave të sektorit publik. Procesi i racionalizimit të agjencive ka ngecur. Pasiguria ligjore për bizneset dhe individët ngulmon për shkak të mungesës së vazhdueshme të progresit në harmonizimin e legjislacionit sektorial me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Ka nevojë urgjente për përtëritje të zotimit për reformën e administratës publike.

Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin. Pandemia e COVID-19 ndikoi në përpunimin efektiv të lëndëve dhe mbajtjen e seancave gjyqësore (dhe qasjes së publikut në to) në Kosovë. Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias.

Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë. Lypsen përpjekje të pashkëputura për të realizuar më shumë hetime proaktive, vendime gjyqësore të formës së prerë dhe konfiskim përfundimtar të pasurive. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me funksionalizimin e Departamentit të Korrupsionit dhe Krimit Financiar dhe me një rritje të përgjithshme në nivelet e personelit. Pakoja ligjore kundër korrupsionit dhe Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar ende nuk janë adoptuar. Kuadri ligjor për konfiskimin është në fuqi, por nuk po zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe vlera e pasurive të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje që shkakton shqetësime serioze. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive risqet sistemore të korrupsionit, si dhe për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo shënoi përparim të kufizuar gjatë periudhës raportuese në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me staf shtesë të specializuar dhe u zhvilluan aktivitete trajnimi me synim. Megjithatë, mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim ende nuk po përdoren në tërësi nga policia dhe prokurorët. Nevojiten masa për të forcuar prokurorinë si dhe për të siguruar që nuk ka ndërhyrje politike në aktivitetet operacionale të të gjitha organeve ligj-zbatuese.

Në korrik 2020, Europol dhe Policia e Kosovës lidhën një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet plotësuese të nevojshme për funksionalizimin e këtij bashkëpunimi, duke lejuar qasjen në Aplikacionin e Rrjetit të Shkëmbimit të Sigurt të Informacionit (SIENA) dhe shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës, u finalizuan në shtator 2021.

Është bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, në përputhje me objektivat e përcaktuara në aranzhimin implementues BE-Kosovë për Planin e Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjeve të tyre. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji i zbatueshëm do të duhej të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare.

Kuadri ligjor në masë të madhe e garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, mbeten të nevojshme përpjekje plotësuese për ta implementuar plotësisht atë dhe për të përmirësuar koordinimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit për të drejtat themelore. Autoritetet ende varen nga mbështetja dhe udhëzimi i donatorëve dhe duhet të marrin përsipër pronësi më të madhe mbi procesin. Duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, përfshirë romët dhe ashkalinjtë dhe personat e zhvendosur, për të siguruar barazinë gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe i gjallë. Sidoqoftë, mbeten shqetësimet në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare, e përkeqësuar më tej nga pandemia e COVID-19, i lë mediat në pozitë të prekshme nga interesat politike dhe të biznesit. Transmetuesi publik gjithashtu mbetet i prekshëm nga ndikimi politik dhe ende duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e tij.

Autoritetet e Kosovës vazhduan të bëjnë përparim në menaxhimin e flukseve të migrimit të rregullt dhe të përzier në kontekstin e vështirë të pandemisë së COVID-19. Kosova e rriti më tej kapacitetin e saj për akomodim dhe përshkallëzoi përgatitjet për të trajtuar një fluks të shtuar emigrantësh.

Për sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale të tregut. Ekonomia u zhyt në recesion në vitin 2020, por ky trend u përmbys në gjysmën e parë të 2021. Problemet e kamotshme strukturore, të tilla si mungesa e diversifikimit ekonomik dhe varësia nga flukset financiare nga diaspora e bënë Kosovën shumë të prekshme nga ngujimi dhe kufizimet e udhëtimit të lidhura me pandeminë. Në përgjigje ndaj krizës, autoritetet pezulluan rregullën fiskale dhe adoptuan dy pako fiskale. Rritja e fortë e shpenzimeve dhe tkurrja e të hyrave tatimore rezultoi në një deficit të madh buxhetor në vitin 2020, por rimëkëmbja e të hyrave tatimore ndihmoi në arritjen e një suficiti buxhetor në gjysmën e parë të 2021. Mjedisi i biznesit ka një përmirësim të vogël. Zhvillimi i sektorit privat mbetet i shtrënguar nga një ekonomi e përhapur joformale, një gjyqësor i ngadalshëm dhe joefiçient, një prevalencë e lartë e korrupsionit dhe sundimi përgjithësisht i dobët i ligjit.

Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme për sa i përket aftësisë për t’i bërë ballë presionit konkurrues dhe forcave të tregut në BE. Pak përparim është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të kualifikimeve në tregun e punës. Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme, por furnizimi i pasigurt me energji me teknologji të vjetruar me djegie të thëngjillit mbetet një shqetësim. Kosova ka bërë disa përparime për sa i përket digjitalizimit të ekonomisë. Ndryshimet strukturore po shfaqen vetëm ngadalë pasi ekonomia mbetet shumë e varur nga firmat e vogla dhe shumë të vogla të cilat nuk mund të konkurrojnë ndërkombëtarisht, ndërsa struktura e eksportit mbetet e dominuar nga disa produkte, siç janë metalet bazë.

Për sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Kosova mbajti marrëdhënie përgjithësisht të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjë dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.

Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdoi me takime të nivelit të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik 2021, si dhe me tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës raportuese të dyja palët emëruan kryenegociatorë dhe ekipe të reja negociuese. Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

Aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit

Për sa i përket përafrimit me standardet evropiane, gjatë periudhës raportuese është arritur njëfarë përparimi në fushat e prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar. Në shumicën e fushave të përfshira në Grupimin 2 mbi tregun e brendshëm, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes, gjegjësisht në lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, ligjin për shoqëritë tregtare dhe pronën intelektuale, ndërsa është e përgatitur mesatarisht për lëvizjen e punëtorëve, shërbimeve dhe të drejtën e themelimit, dhe për shërbimet financiare. Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes për konkurrencën, si dhe për politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit. Në periudhën raportuese, Kosova arriti njëfarë përparimi në të gjitha fushat përveç në politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit, ku u arrit vetëm progres i kufizuar. Në fushën e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse, ajo bëri njëfarë përparimi në shumicën e fushave (dogana, tatimet, shoqëria e informacionit dhe mediet, ndërmarrjet dhe politikat industriale), por bëri vetëm përparim të kufizuar në kërkim, arsim dhe kulturë. Ajo bëri njëfarë përparimi në fushat e politikave që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe konektivitetin e qëndrueshëm, në sektorin e energjisë, por shënoi vetëm përparim të kufizuar në fushat e transportit, mjedisit dhe ndryshimit të klimës. Në fushën e burimeve dhe bujqësisë, ajo bëri vetëm përparim të kufizuar në bujqësi, sigurinë e ushqimit, veterinari dhe politika fitosanitare. Në politikën tregtare, është bërë njëfarë përparimi në zvogëlimin e deficitit tregtar të Kosovës, por Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet plotësuese të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Në përgjithësi, Kosova duhet të përmirësojë kapacitetin e saj administrativ dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të arritur implementimin efektiv të acquis të BE-së. 

Klikoni këtu për ta lexuar raportin e plotë.

***

Komisioni Evropian të martën prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.

Në paketën e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, ku përfshihet edhe Kosova është gjetur një përparim i kufizuar në shumicën e proceseve.

Sipas këtij raporti, vendi ynë sa i përket dialogut me Serbinë thuhet se, “Kosova në përgjithësi, ka vazhduar të jetë e përkushtuar në dialog”.

Por, sipas këtij raporti “qeveria e Kosovës duhet të respektojë angazhimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara të dialogut”.

“Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm dhe të kontribuojnë në një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, përfshirë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në këtë raport sa i përket dialogut me Serbinë.

Tutje në raport theksohet se marrëveshja gjithpërfshirëse me Serbinë, është vendimtare në mënyrë që të dy vendet të përparojnë në rrugën drejt Evropës.

“Kosova pritet të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociatat mbi marrëveshjen e normalizimit ligjërisht të detyrueshme në periudhën e ardhshme, në mënyrë që të bëjë përparim të shpejtë dhe konkret. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.

LIVE: Komisioni Evropian publikon raportin e progresit për Kosovën

Ka nisur seanca ku KE po prezanton raportin e progresit për Kosovën.

Komisioni Evropian (KE) të martën do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, si dhe raportet e vendeve, përfshirë edhe Kosovën.

Agjenda e prezantimit të paketës së zgjerimit të vitit 2021 si dhe raportet e vendeve:

Në orën 17.15 do të mbahet konferencë për shtyp nga komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat