Haxhi Dërguti – ish-Kryeprokurori i Apelit me numër rekord të punësimeve familjare në KEDS

Aktuale

Haxhi Dërguti – ish-Kryeprokurori i Apelit me numër rekord të punësimeve familjare në KEDS

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 20:25
Haxhi Dërguti

Disa vjet pasi një prej aseteve më të rëndësishme të shtetit – Rrjeti i Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës u privatizua nga blerësi potencial Limak-Calik në qershor të vitit 2012, filluan largimet e punëtorëve të kësaj kompanie.

Ndonëse ministri i atëhershëm i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, Besim Beqaj, nënshkroi privatizimin e distribucionit duke hedhur poshtë dyshimet e pasiguritë e punëtorëve se do të largoheshin nga puna nga pronarët e rinj, një gjë e tillë ndodhi.

Largimi i tyre nisi katër vjet pasi u privatizua ky distribucion, për t’u zëvendësuar me familjarë të pushtetarëve.

Një nga rastet që e tregon më së miri këtë fenomen është punësimi i familjarëve të ish-Kryeprokurorit në Prokurorinë e Apelit, Haxhi Dërguti, i cili mban rekordin e familjarëve të punësuar në KEDS.

Ai ka punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina.

Siç tregohet në hulumtimin e publikuar në episodin e fundit të emisionit investigativ “N’Shënjestër”, Dërguti kur u kontaktua nga ekipi hulumtues, nuk e pranoi se ka familjarë të punësuar, derisa iu përmendën emrat.

Me këtë rast, ai nisi t’i justifikojë punësimet.

“Kërkon se kam të punësuar unë aty”, ka thënë Dërguti por që pak minuta më vonë tha se e ka vetëm djalin.

“Veç djalin e kam”.

Por, pasi u pyet se çfarë lidhje familjare ka me Fidan e Bledar Dushin, që janë të punësuar njëri shef i logjistikës, e tjetri koordinator i lidhjeve, filloi shpalosjen.

“Fidan Dushin e kam djalë të dajës. Bledari është qaty i tyre”, ka thënë Dërguti.

Ndryshe nga ish-Kryeprokurori i Apelit, Fidani thotë se Bledarin e ka vëlla dhe se me Haxhiun nuk kanë lidhje të afërt familjare.

“Unë kam punuar 13 vjet në Kujtesë edhe jam inxhiner dhe kam njëfarë begraundi. Në KEDS jam punësuar sipas konkursit në 2018. Unë Haxhi Dërgutin e kam familjar, por e kam shumë të largët. Asgjë s’ka të bëjë me punësimin tim. A e di kur e pat shpjeguar Albin Kurti për Glauk Konjufcën, djali i djalit tezës dajës, kështu diçka, beso ashtu e kam. Diçka nipash e kam. Nuk e di as vet çka e kam”, ka thënë Dushi.

Se raste të tjera të punësimit të familjarëve ekzistojnë në KEDS e pranon edhe vetë Dushi, duke e lidhur këtë fakt me punësimin e vëllait të tij, që si pasojë e kësaj rrjedhe nuk e ka parë si problem.

“Unë e Bledari kemi punuar në Kujtesë, kur e kanë parë punën tonë, pasi jam punësuar unë, në KEDS kanë insistuar ta marrin edhe Bledarin. Unë s’kam qenë fort i pajtimit, por kur kam pa që ka këtu (KEDS)  ka shtatë apo tetë familjarë që janë punësuar në kohën e KEK-ut, thash hajt nuk është problem. Nuk është që më ka pëlqyer, se Bledarin e kam bash vëlla, prej babës e nanës. Vëllai tim e kanë thirrë menaxhmenti, duke e parë punën time, dhe e kanë punësuar. Me Haxhiun asgjë s’kemi lidhje besom, veç sherrin ia kemi parë”, ka thënë Dushi.

Edhe djali i baxhanakut të Dërgutit, është i punësuar dhe mban pozitën e juristit në Zyrën Ligjore në degën e Pejës.

Për këtë rast, Dërguti siç dëgjohet në bisedën telefonike thotë se “Arbnori ka filluar si praktikant, por se edhe reja e tij, Alisa Manaj “veç praktikën e ka kryer”.

“Pasha Zoti, Arbnorin a! Ai m’doket praktikant ka shku, sa e di unë në Pejë është”.

“Alisa Manaj s’punon atu në KEDS. Është reja jem, u kanë, veç praktiken e ka kry”.

Se ky punësim (nuk) është i ndikuar nga ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, përveç tij, e thotë edhe i biri – Hajdini, që vazhdon të punojë në zyrën ligjore në Prishtinë.

“Qysh ka mundur të ndikojë, në çfarë aspekti po mendon? Unë në KEDS kam ardhur transfer prej Aeroportit, Limakut, që ka edhe aeroportin edhe KEDS-in edhe kanë pasur nevojë për zyrtar ligjor dhe jam bërë transfer. Bashkëshortja nuk punon. Bashkëshortja ka qenë praktikë me pagesë në financa, një departament”, ka thënë ai për Shqipcom. Por, nuk është vetëm Dërguti nga pushtetarët që ka rehatuar familjarë, për të kuptuar më shumë rreth listës së punëtorëve të KEDS që janë punësuar prej lidhjeve familjare, ndiqni dokumentarin e plotë këtu:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat