Mësoni të gjitha skandalet që ndodhën në AKI

Aktuale

Mësoni të gjitha skandalet që ndodhën në AKI

Nga: A.M. Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:14
Ilustrim

M.K, ish-punonjësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), është arrestuar nën dyshimet për zbulimin e informacioneve që kanë rrezikuar sigurinë e vendit.

Ky arrestim është raportuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Ndalimi është bërë për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Keqpërdorimi i informatës zyrtare’, ‘Hyrja në sistemet kompjuterike’, ‘Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë për media në rastin e personit të arrestuar.

Arrestimin e ish zyrtarit të AKI-së, e ka konfirmuar edhe kjo e fundit përmes një reagimi për media.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) konfirmon njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datën 21.10.2021 lidhur me arrestimin e personit M.K.

AKI, në kuadër të kompetencave të saj sipas Ligjit Nr. 03/L-063, Nenin 2 dhe Nenin 10, ka përfunduar procedurat e brendshme ndaj personit M.K dhe në përputhje me Nenin 25.2 të Ligjit për AKI ka njoftuar Prokurorin publik kompetent”, thuhet në reagimin e AKI-së.

Ky nuk është rasti i vetëm që është rrezikuar siguria e vendit.

Një rast tjetër që kishte ndodhur në vitin 2018, ku një person ishte shtir si punonjës i AKI-së. Siç raportohej në atë kohë personi me inicialet E. J nga Prishtina kishte përdorur një dokument të falsifikuar për 8 vite, me të cilin ishte vetë punësuar në AKI.

Ai dyshohej për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve.

Në atë kohë dyshohej nga prokuroria se  ai ka spiunuar tek autoritete të huaja.

“I pandehuri duke u paraqitur si zyrtar i AKI-së, ka mbledhur të dhëna dhe dokumente të klasifikuara duke krijuar qasje në dokumente dhe të dhëna të besueshme”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë për nisjen e hetimeve ndaj E.J.

Ndërkaq, një rast tjetër që ka ndodhur në AKI, është edhe vrasja e ndodhur në shtator të vitit 2018.

Valon Ibërdemaj e kishte privuar nga jeta Isa Sejdiun. Ai pas vrasjes e kishte rrëmbyer një punëtore tjetër të AKI-së për të ikur nga vendi i ngjarjes.

Në aktakuzën e këtij rasti thuhej se “derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, në kuzhinë ka shkuar i pandehuri me revole në dorë të tipit “CZ-M-72”, e kalibrit 7.62 mm, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dal në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së”.

Sipas dokumenteve zyrtare, Valon Ibërdemaj dy vitet e fundit ka punuar si sigurim në këtë institucion të sigurisë. Por më herët i njëjti kishte qenë agjent në AKI.

Një skandal tjetër që ishte përfshirë AKI-ja është deportimi i gjashtë shtetasve turq në vitin 2018.

Operacion për të cilin nuk ishte në dijeni ish kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj.

Për këtë rast, kishin dhënë dorëheqje, Driton Gashi(drejtor i AKI-së në atë kohë) dhe Flamur Sefaj (Ministri i Punëve të Brendshme në atë kohë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat