(E plotësuar 16:20) - Gazetari Halil Berisha ka përfunduar dëshminë në seancën gjyqësore kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Berisha në Gjykatën Speciale u mor në pyetje për pjesëmarrjen në konferencat e organizuara nga OVL e UÇK-së, ku u publikuan dokumente të Gjykatës Speciale.
Më tutje, gazetari u pyet edhe për shkrimet që kishte bërë lidhur me ato dokumente dhe për atë nëse ka pasur persona me të cilët gazetari Berisha i ka ndarë ato dokumente.
Dëshmitari thotë se korrespodencat në mes të TFHS dhe zyrtarëve serbë nuk ishin konfidenciale
Ish-gazetari Halil Berisha, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se nga dokumentet të cilat i ka marrë në OVL-UÇK, në shtator 2020, kanë raportuar vetëm për pjesët në të cilat nuk shkruhej se janë konfidenciale.
Derisa u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, dëshmitari ka thënë se redaksia në të cilën ai ka punuar gazetar dhe redaktor, ka vlerësuar se raportimi për dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK, për të cilat pretendohej se kishin rrjedhur nga Specialja, ishte në interes për publikun.
Dëshmitari Berisha ka konfirmuar se një pjesë e dokumenteve që kanë poseduar, kanë qenë korrespodenca në mes të zyrtarëve të Task Forcës Speciale Hetimore dhe prokurorëve e zyrtarëve të Serbisë.
Berisha: Dokumentet që ishin korrespodencë në mes të TFHS-së dhe zyrtarëve serbë nuk shënohej se ishin konfidenciale
“Mendimi jonë ka qenë për t’i publikuar edhe pse po e përmend prapë se nuk kemi qenë të sigurt për autenticitetin dhe konfidencialitetin e dokumenteve. Te korrespodenca nuk ka shkruar se është konfidenciale. Përderisa ka shkruar që nuk është konfidenciale të një pjesë e tyre, kemi raportuar për to dhe ka qenë interes i publikut se çka ka në ato dokumente dhe për çka po bëhet fjalë”, ka thënë Berisha.
Ndërsa kur është pyetur nga avokati mbrojtës pse kanë vlerësuar se një raportim i tillë është në interes për publikun, dëshmitari Berisha ka folur për të kaluarën e Kosovës dhe dëbimin që Serbia u ka bërë shqiptarëve nga pronat e tyre.
Berisha: Raportimi për dokumentet ka qenë në interes për publikun
“Ne kemi menduar që kjo është në interes për publikun duke e pasur parasysh të kaluarën që e ka pasur populli jonë, populli i Kosovës. Unë jam i ri me moshë, por edhe unë kam prekur pak kohën e luftës. Kam qenë 6-vjeçar në kohën e luftës. Unë bashkë me familjen time dhe me qytetarë të tjerë, jemi larguar me forcë prej banesës, prej shtëpisë sonë dhe jemi detyruar të udhëtojmë për Shqipëri. Kjo çka po them unë është me e lehta se çka mund të thonë të tjerët, unë si 6-vjeçar jam detyruar të ecë pa bukë, pa ujë, dhe forcat serbe kanë vendosur edhe trupa të vdekur në rrugë ku unë si fëmijë 6-vjeçar është dashur të kaloj nëpër ta. Kjo është një temë e ndjeshme për ne, e cila shtjellohet çdo ditë të ne dhe për këtë arsye kemi menduar se ka interes për publikun për të raportuar për këtë çështje”, ka dhënë dëshmitari.
Ai ka thënë se në dokumente përmendeshin zyrtarë publikë të Serbisë, andaj sipas tij ka qenë interesi i publikut që të mësojë më shumë rreth asaj që ‘TFHS u ka kërkuar zyrtarëve serbë ndihmë rreth dëshmitarëve’.
Berisha: Qytetarët e Kosovës presin të mblidhen prova për ata që e kanë vrarë Adem Jasharin dhe jo prova për Adem Jasharin
“Nuk ka shkruar konfidenciale dhe ata me këtë term që nuk është i drejtë (Kosova e Metohia), dhe me atë që po mbledhin fakte për krimet e supozuara që i kanë bërë shqiptarët, kemi besuar që është në interes të publikut me publiku... Në atë kohë, nëse nuk gaboj, është përmend aktakuza për, në atë kohë presidentin, zotëri Hashim Thaçin dhe të tjerët, por asnjëherë nuk është përmendur se po kërkohen prova për heroin e Kosovës, Adem Jasharin, dhe kur e kemi parë këtë në këto dokumente, kjo me siguri ka qenë në interes të publikut me ditë, pasi që Adem Jashari në atë kohë ka qenë i vrarë prej forcave serbe dhe që besoj që qytetarët e Kosovës kishin pritur të mblidhen prova për ata që e kanë vrarë Adem Jasharin, por jo për Adem Jasharin”, ka thënë dëshmitari Berisha.
Halil Berisha, ish-gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus është dëshmitari i dytë në procesin gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Hardinajt.
Ai kishte marrë pjesë në konferencën e parë të OVL-UÇK rreth dosjeve për të cilat akuzohen Gucati e Haradinaj, ku edhe kishte marrë një kopje të tyre.
Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
***
Gazetari Halil Berisha është duke vazhduar dëshminë e tij në seancën gjyqësore kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ndau edhe një fragment që e kujton nga lufta e që asokohe ai ishte vetëm 6-vjeçar.
Berisha në Gjykatën Speciale tregoi se si forcat serbe e kishin larguar me forcë atë dhe familjen e tij nga shtëpia dhe se ishin detyruar që të kërkonin strehim në Shqipëri.
Ai tregoi se si ka kaluar mbi trupa të vdekur, pa bukë e pa ujë.
“Unë ndoshta jam i ri në moshë, por edhe unë e kam përjetuar luftën. Kam qenë gjashtë vjeçar në kohën e luftës kur gjatë asaj kohe kur unë bashkë me familjen time dhe me qytetarët e tjerë jemi larguar me forcë nga banesa, nga shtëpia jonë. Jemi larguar me forcë dhe jemi detyruar që të largohemi për në Shqipëri. Kjo çfarë po them unë është më e lehta se çfarë mund të thonë tjerët. Unë si një 6-vjeçar jam detyru me ecë drejt kufirit pa bukë, pa ujë dhe forcat serbe kanë vendosur edhe trupa të vdekur në rrugë dhe si një fëmijë 6-vjeçar është dashur që të kalojë mbi ta”, ka thënë ai.
“Është një temë e ndjeshme për neve. Është një temë që shtjellohet çdo ditë tek ne dhe për këtë arsye kemi menduar që kjo ka interes për publikun me raportu për këtë çështje”, ka thënë më tutje ai.
***
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku për ditën e dytë me radhë po dëgjohet dëshmia ish-gazetarit Halil Berisha.
Dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë lidhur me artikujt e botuar në mediumin në të cilin ai ka punuar, Gazeta Infokus.
Berisha ka thënë se pasi ka marrë një kopje të dokumenteve në OVL-UÇK, i ka shikuar ato së bashku me kolegët redaktorë në gazetën ku ka punuar, duke theksuar që gazetarët e tjerë nuk janë lejuar të kenë qasje në të njëjtat.
Berisha: Në dokumente ka pasur korrespodenca të TFHS-së me zyrtarë të Serbisë
“Gjatë këtij kontrolli të dokumenteve, ne kemi parë që aty ka shumë korrespodenca të kësaj Task Force Speciale të Hetimit me zyrtarë edhe prokurorë të shtetit të Serbisë, dhe atyre u kanë kërkuar t’iu sigurojnë dëshmitarë, të cilët i kanë përmend me emra, të cilët i kanë përmendur me adresa, që zyra e Task Forcës Speciale e Hetimit i di, por për t’i verifikuar adresat prokuroria dhe zyrtarët serbë, kështu që po, aty ka pasur emra të personave që Task Forca ka synuar t’i intervistojë dhe për të cilët ka kërkuar ndihmë nga prokurorët e Serbisë”, ka thënë dëshmitari Berisha.
Dëshmitari e kishte përcjellë konferencën e parë në OVL-UÇK në të cilën ishte bërë e ditur se në zyrat e organizatës kanë arritur dokumente për të cilat pretendohej të kenë rrjedhur nga Specialja.
Ai ka konfirmuar se një artikull është e botuar më 9 shtator të vitit 2020 ku thuhej se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka koment për dosjet në OVL-UÇK.
Berisha: Në përgjigjen për gazetën, ZPS nuk pohuar as mohuar asgjë lidhur me dokumentet
“Posa i kemi marrë dokumentet i kemi shkruar ZPS-së për me pyet për autenticitetin dhe a janë konfidenciale dhe autentike këto dokumente. ZPS nuk ka dhënë përgjigje të saktë, as nuk e ka pohuar as nuk ka mohu asgjë lidhur me këto dokumente. Pastaj duke i pasur në pronësi këto dokumente në Gazetën Infokus kemi treguar çka përafërsisht kanë këto dokumente”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, gazeta në të cilën ai ka punuar ka vendosur që me kujdesin më të madh të raportojë për këto dokumente.
Dëshmitarit i janë prezantuar edhe artikujt në të cilët ishte raportuar se hetues të ZPS-së i kanë marrë dosjet që i ka poseduar Gazeta Infokus, gjithashtu për bastisjet e kryera në OVL-UÇK.
Prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse ka ndonjë botim të historive për pretendime të veteranëve të rrejshëm të luftës.
Berisha: Dikur ka pasur raportime në media për disa emra që dyshohej se janë veteranë të rrejshëm
“Kur nuk kam qenë gazetar i Gazetës Infokus kam qenë me një media tjetër, në atë kohë e di që ka pasur raportime të mediave të ndryshme ku kanë zbuluar edhe emra për disa veteran që dyshohej që janë veteran të rrejshëm. Këta emra, me sa më kujtohet, janë marrë prej një prokurori në Kosovë, ose diçka e tillë”, ka thënë dëshmitari.
Lidhur me këtë, Berisha ka thënë se nuk është në dijeni nëse Gazeta Infokus ka botuar artikuj të tillë.
Pas pyetjeve të prokurorisë, Halil Berisha po i përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës, Jonathan Elystan Rees.
Berisha ka thënë se paraprakisht ka thënë se është intervistuar edhe njëherë, në Kosovë, më 25 gusht 2021.
Berisha: Jam kontaktuar dy herë nga hetues të Speciales
“Kam pasur një thirrje sa kam qenë gazetar në Infokus, nëse nuk gaboj ku më është thënë që dëshirojnë të bisedojnë me mua një hetues ose dikush i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por që ai takim nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk më kanë kontaktuar më. Tani para asaj date më kanë kontaktuar nëse nuk gaboj një javë ose dy më herët nuk jam shumë i sigurt me data”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se është kontaktuar nga prokurorja Valeria Bolici duke shtuar se nuk ka pasur ftesë me shkrim apo fletëthirrje për intervistimin e parë në Kosovë.
Berisha: Jam kontaktuar nga prokuroja Bolici, më kanë thënë se jam në cilësinë e dëshmitarit
“Më ka thënë që do të intervistohem në lidhje me çështjen në fjalë dhe që jam në cilësi të dëshmitarit nëse më kujtohet. E kam pyetur dhe më ka thënë se nuk jam në cilësinë e të dyshuarit... Unë jam gazetar dhe me thënë të drejtën unë nuk kam pritur të ftohem as për intervistim si dëshmitar, as si i dyshuar se unë e kam kryer punën time me a sa di dhe në mënyrë profesionale, kështu që nuk e kam pritur së pari që do të jem i ftuar. Kjo ka qenë pak sa si e çuditshme për mua dhe kur më është bërë ftesa, unë kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe zotëri Arianit Koci”, ka thënë dëshmitari Berisha.
Dëgjimi i Berishës, i cili është dëshmitari i dytë në këtë gjykim, do të vazhdojë sot pasdite.
Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
LIVE: Seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt, dëshmon gazetari nga Kosova
Gazetari Halil Berisha ka vazhduar dëshminë e tij në rastin kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Si nga prokurori i specializuar u pyet lidhur me disa shkrime të publikuara në mediumin ku ai punonte.
Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori, Berisha u pyet nga avokati i Nasim Haradinajt, nëse ka qenë ndonjëherë më parë i intervistuar nga Gjykata Speciale.
“Kam qenë i intervistuar në Kosovë”, ka thënë ai.
Avokati më tutje e pyeti edhe për kohën se kur është intervistuar. Ai e pyeti gazetarin nëse intervistimi është bërë 25 gusht të këtij viti.
“Po me sa më kujtohet”, ka thënë ai.
Ai u pyet edhe se në çfarë cilësie është intervistuar.
“Po i kam pyetur dhe më kanë thënë që nuk jam në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë ai.
“Unë jam gazetar dhe nuk e kam pritur që ka me u ftu as për intervistim si dëshmitarë dhe as si i dyshuar sepse unë e kam kryer punën time në përpikëri dhe profesionale. Se kom prit së pari që ka me qenë i ftuar. Kur më është bërë ftesa unë kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe avokati Arianit Koci”, ka thënë me tutje Berisha.
Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, edhe sot vazhdon dëgjimi i gazetarit nga Kosova
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, edhe sot pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të dytë, ish-gazetarit të gazetës “Infokus”, Halil Berisha.
Dëshmitari Berisha, dëshminë e tij e ka nisur të martën.
Ky dëshmitar, dëshminë e tij e filloi pas përfundimit të dëshmisë së Koordinatores së hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper, e cila ishte dëshmitarja e parë në këtë rast.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.