Policia hesht për garancinë e ish-krerëve të UÇK-së, deklarohet Gjykata Speciale

Aktuale

Policia hesht për garancinë e ish-krerëve të UÇK-së, deklarohet Gjykata Speciale

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 19:54
Krerët e UÇK-së

Me 8 tetor u erdhi letra në anglisht.

E përkthimin e saj në shqip, Policia e Kosovës nuk po tregon se kur e bëri.

Nga data e përkthimit të saj nisë të rrjedhë edhe afati prej dy javësh, që Specialja ia dha Policisë për një përgjigje rreth ofrimit ose jo të garancës për lirimin me kusht të tre ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.

Në anën tjetër nga Specialja kanë bërë të ditur se në adresë të tyre nuk ka arritur asgjë.

“Nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të KSC-së pasi të gjitha dosjet publike janë të disponueshme në faqen e internetit të KSC-së”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Avokati i akredituar i Speciales, Skender Musa, thotë se përgjigja tashmë mund të ketë shkuar nga ana e Policisë tek Specialja, por që e njëjta mund mos bëhet publike për një kohë.

Ky beson se organet kosovare të rendit kanë kapacitete për të garantuar për ish-krerët e UÇK-së, andaj thotë se do të befasohej në rast të ndonjë përgjigjeje negative të tyre.

“Zakonisht për lirimet nga paraburgimi kërkohet që i akuzuari të mos ikë, të mos këtë mundësi të shkatërrojë provat, të mos ketë mundësi të ndikojë në dëshmitarë. Të gjitha këto Policia e Kosovës, pa asnjë problem i ka zbatuar edhe në rastet e tjera, mund t`i zbatojë edhe tash”, theksoi Musa.

Musa tregon edhe për pasojat që do e pritnin vendin në rast se Policia nuk jep garancë.

“Kërkesa e BE-së është sundimi i ligjit. Nëse policia deklaron se nuk mund t`i zbatojë kërkesat e Speciales, kjo dëshmon se nuk e zbatojmë ligjin. Mund të paraqet problem në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave”, u shpreh Musa.

Treshja Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.

Ata akuzohen në Hagë për krime lufte në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat