LDK në Junik reagon ashpër për dyshimet për dallavere me vota

Aktuale

LDK në Junik reagon ashpër për dyshimet për dallavere me vota

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 08:06
Blerina Sallaj dhe Agron Kuçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Pas raportimit për arrestimin në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit, e cila u kap në Aeroportin e Prishtinës, duke tentuar që të dërgojë në Gjermani material të falsifikuar zgjedhor, kanë reaguar nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik.

Dega e LDK-së në Junik ka shkruar se ndihet e shqetësuar nëse manipulimet e këtij formati kanë ndikuar edhe në rundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor.

“Nëse kryetari në ikje ka vepruar kështu edhe herën e parë, kjo nënkupton se ne do të kishim fituar pa balotazh me 17 tetor”, shkruhet ndër të tjera në postimin e LDK-së.

Tutje ata kanë shtuar se është shqetësues fakti se kryetari aktual i Junikut, Agron Kuçi, nuk është distancuar personalisht nga ky veprim, duke marrë parasysh se dyshohet se në këtë janë të përfshirë edhe familjar të tij.

“Ne kemi lexuar me vëmendje edhe një reagim nga profili në facebook me titull “Aleanca për Junikun”. Me këtë rast, përshtypje na ka bërë fakti që kryetari në ikje nuk është distancuar personalisht nga ky veprim. Sipas portaleve, në këtë rast janë të dyshuar edhe F.K (djali i Agron Kuçit) si dhe M.K (vëllau i Agron Kuçit)”, shkruhet më tutje në postim.

Postimi i plotë: 

Të dashur junikas,

Ne dënojmë ashpër çdo tentim për manipulim të procesit zgjedhor në Komunën e Junikut.

Dhjetëra portale kanë raportuar sot dhe dje se Zyrtarja për Informim në Komunën e Junikut është zënë në flagrancë duke dërguar material zgjedhor të falsifikuar për në Gjermani. Siç kemi kuptuar nga portalet, ky material zgjedhor përfshinë dokumentacionin e nevojshëm për të votuar nga diaspora të qindra votuesve të Junikut që jetojnë në perëndim. Dyshohet se personi i arrestuar në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, e kanë falsifikuar këtë material zgjedhor duke tentuar që në mënyrë të organizuar të votojnë në emër të qindra votuesve të Junikut që jetojnë në diasporë, kundër vullnetit të tyre dhe duke i vënë ata në lajthitje në forma të ndryshme.

Personi në fjalë është zënë në flagrancë duke kryer vepër penale. Me këtë rast policia ka sekuestruar të gjithë materialin e falsifikuar zgjedhor, telefonin e saj, laptopin dhe sende tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurë penale. Tutje, ajo është intervistuar si e dyshuar dhe është dërguar në ndalim të përkohshëm policor.

Ne kemi lexuar me vëmendje edhe një reagim nga profili në facebook me titull "Aleanca për Junikun". Me këtë rast, përshtypje na ka bërë fakti që kryetari në ikje nuk është distancuar personalisht nga ky veprim. Sipas portaleve, në këtë rast janë të dyshuar edhe F.K (djali i Agron Kuçit) si dhe M.K (vëllau i Agron Kuçit).

Duke marrë parasysh lajmet më sipër nga portalet, LDK në Junik është shumë e shqetësuar nëse manipulimet e këtij formati kanë mundur të ndodhin edhe në raundin e parë të zgjedhjeve! Nëse kryetari në ikje ka vepruar kështu edhe herën e parë, kjo nënkupton se ne do të kishim fituar pa balotazh me 17 tetor. Sidoqoftë, ne i falenderojmë dhe i përgëzojmë organet e rendit për punën e tyre në mbrojtje të votës dhe të demokracisë në Komunën e Junikut. Pa asnjë dilemë, vota është e shenjtë dhe nuk duhet të keqpërdoret nga askush. Në veçanti votat e diasporës janë shumë të rëndësishme për Junikun. Askush nuk guxon të manipuloj me vullnetin e diasporës së Junikut. Ata kanë dhënë për Junikun gjakun, trupin, rininë, shëndetin, pasurinë dhe gjithçka që kanë pasur. Prandaj ne duhet të jemi mirënjohës gjithë jetën për kontributin e tyre dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të manipulojmë me vullnetin apo votën e tyre për Junikun.

Derisa organet e rendit të vazhdojnë punën e tyre, me 14 nëntor edhe junikasit do të thojnë fjalën e tyre lidhur me këtë rast dhe 12 vitet e qeverisjes së Agron Kuçit në Junik.

Me respekt

Ldk- dega Junik

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat