Rrëzimi i Zaevit, modeli i këtij politikani për t’u ringritur

Aktuale

Rrëzimi i Zaevit, modeli i këtij politikani për t’u ringritur

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 17:00
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev

Maqedonia e Veriut përjetoi mbrëmë një tërmet politik, i cili çoi në dorëheqjen e Zoran Zaevit, as dy vite pasi ishte votëbesuar për mandatin e dytë.

Gjithçka erdhi pasi opozita më e madhe, ajo e VRMO-DPMNE-së realizoi një proces të plotë pastrimi, duke larguar përfundimisht Nikolla Gruevskin e grupin e tij, dhe duke braktisur modelin nacionalist shovinist.

Më pas arriti të bëjë një koalicion real me opozitën shqiptare të Zijadin Selës e të partisë BESA, që solli një fitore plebishitare bashkë me partinë maqedonase “E Majta”, një ish-fraksion i LSDM-së.

Vetëm rezultati i Shkupit është një tregues kuptimplotë i kësaj manovre, ku opozita nuk nxori një kandidat partiak, por një emër që vinte nga bota akademike që kishte mbështetjen e të gjithë palëve.

Si përfundim, në raundin e dytë, opozita mori 60% të votave, çka ishte një tërmet politik e që çoi në përmbysjen politike në vend.

E pikërisht ky model është i vetmi çelës suksesi për partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri, që të arrijë të rrëzojë nomenklaturën 8 vjeçare të Edi Ramës.

Zgjedhjet e pjesshme bashkiake, ku do të zhvillohen të tilla në Durrës, Shkodër, Vorë, Rrogozhinë, janë shansi i parë dhe sprova e kreut të PD-së për të formuar një koalicion të gjerë me shoqërinë që nuk e duan Edi Ramën.

Dhe ky koalicion, po të shohësh vetëm rezultatet e 25 prillit është më i madh, por PS arriti të fitonte, pikërisht ngase opozita nuk arriti të sinkronizonte të gjithë faktorin shoqëror anti-qeveritar me vete.

Tashmë është e qartë, se e vetmja rrugë për të përmbysur Edi Ramën, nuk është fitorja e Partisë Demokratike, pasi e vetme nuk ja arrin këtë, as caktimi në mënyrë të njëanshme i kandidatëve, por bashkimi dhe hapja e një dialogu  me shoqërinë e të gjithë faktorët.

Por së pari, Basha duhet të lajë menjëherë hesapet me Sali Berishën dhe Ilir Metën, siç e ka nisur. Të sfidojë Sali Berishën hapur brenda partisë duke mbledhur institucionet e PD-së. Berisha ka nisur një luftë me Bashën, pasi i intereson kjo situatë për ta quajtur pa legjitimitet kreun e opozitës.

E Lulzim Basha, këtë nyje gordiane, duhet ta presë me shpatë menjëherë, duke e sfiduar Sali Berishën fort dhe përfundimisht. Nëse nuk e ka të sigurtë, gjithsesi nuk duhet ta lërë situatën pezull. Le të hapë zgjedhjet e reja në Partinë Demokratike, duke mbështetur një kandidat të ri, i cili kërkon bashkimin e opozitës pa mbrojtur Sali Berishën dhe Ilir Metën. Qoftë edhe nëse nuk është anëtar i PD-së. Atëherë, vërtetë Edi Rama i ka ditët e numëruara…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat