Abdixhiku: Fitorja e LDK-së në Juniku veçse ka ardhur

Aktuale

Abdixhiku: Fitorja e LDK-së në Juniku veçse ka ardhur

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 18:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku gjatë një takimi me elektoratin e kësaj partie në Junik, u shpreh i bindur në fitoren e kandidatit të tyre për kryetar të kësaj komune, Ruzhdi Shehu.

Abdixhiku tha se Juniku i bukur do të jetë unik edhe për nga qeverisja.

Abdixhiku: Ky tubim dëshmon se fitorja e LDK-së në Juniku veçse ka ardhur

“Puna nuk ka mbaruar ende, neve na duhet ta bëjmë punë e angazhim për t’i dhënë Junikut kryetarin që përfundimisht e kërkon Ruzhdi Shehun për ta transformuar këtë qytet të bukur. Ky tubim sot këtu është dëshmi e qartë se fitorja e LDK-së në komunën e Junikut veçse ka ardhur. Ka ardhur koha që të gjitha të mirat tuaja të dalin në dritë dhe për të arritur këtë nevojitet vetëm një qeverisje e mirë që ka program për të gjithë, dhe tashmë ju e dini se ne i kemi të dyja. LDK e ka programin më të mirë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, bazuar në agrokulturë, turizëm dhe për ndërmarrja të zhvilluara që përkrahen me infrastrukturë efikase. Shërbime publike si dhe përkrahje për arsim, shëndetësi, sport dhe trashëgimi kulturore”, tha Abdixhiku.

Kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu duke kritikuar qeverisjen e deritashme nga radhët e AAK-së në këtë komunë, tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për Junikun, ku siç u shpreh ai të dielën do të vulosin fitoren e LDK-së së bashku me koalicionin e arritur me Vetëvendosjen.

Shehu tha se programi i tij reflekton nevojat dhe kërkesat e junikasve ndërsa ka vullnetin e profesionalizmin për ta realizuar atë.

Shehu: Programi ynë reflekton nevojat e junikasve

“Programi ynë i përbashkët qeverisës është hartuar nga ekspertët e fushës dhe reflekton në mënyrë të saktë të gjitha këto kërkesa nga qytetarët junikas. Pra në njërën anë, ne i njohim nevojat e junikasve ndërsa në anën tjetër, e kemi vullnetin, përkushtimin, profesionalizmin dhe mbi të gjitha integritetin për të adresuar saktë dhe shpejt të gjitha kërkesat e junikasve. Vizioni ynë i përbashkët është Juniku me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të bazuar në ndërmarrësi, agrokulturë dhe turizëm të përkrahur me infrastrukturë efikase si dhe shërbime publike cilësore në arsim, shëndetësi, kulturë, rini dhe sport”, tha ai.

Kandidati i LDK, Shehu, i cili renditet i dyti në raundin e parë në zgjedhjet e 17 tetorit me 37.87 përqind, do të garon në balotazh në zgjedhjet e 14 nëntorit me kandidatin Agron Kuqi nga AAK, që ka marrë 46.26 përqind të votave në raundin e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat