Vrasja e Marigonës, kjo do të jetë kërkesa e Prokurorisë

Aktuale

Vrasja e Marigonës, kjo do të jetë kërkesa e Prokurorisë

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 13:55
Dardan Krivaqa

Prokuroria Themelore në Ferizaj do të paraqesë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.

Kështu kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të paraqesë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve“, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore për masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve përfundon më 21 nëntor.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Dardan Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore, kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj të ndjerës, e cila më pas kishte ndërruar jetë.

Kurse, sipas aktakuzës, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, gjatë gjithë kohës kishte qenë i pranshëm dhe se kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.

Kujtojmë që, Prokuroria Themelore në Ferizaj tashmë ka pranuar raportin e autopsisë së Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Megjithatë, për shkak të procesit të hetimeve, kanë njoftuar se nuk mund të japin detaje për publikun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat