Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe USAID-it

Aktuale

Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe USAID-it

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 16:21
Pamje nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Drejtorin e ri të Programit të USAID-it për Drejtësi, Garry Ledbetter dhe Artan Hadrin, Specialist i Performancës Gjyqësore.

Shkëmbimi i ideve dhe mundësive të bashkëpunimit me USAID-in në funksion të avancimit të proceseve të ndryshme brenda sistemit prokurorial, veçanërisht në vlerësimin e performancës, rekrutimin, avancimin dhe forcimin e etikës dhe integritetit të prokurorëve dhe stafit administrativ, ngritja e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale si dhe fuqizimi i fushës së komunikimit me publikun, ishin disa nga çështjet me interes, të cilat u trajtuan në takimin e përbashkët ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Kryesuesit Maloku me Drejtorin Ledbetter.

Ndërkaq, Drejtori i ri i Programit të USAID-it për Drejtësi, shprehu gatishmërinë që të thellojë bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit dhe Këshillin e Prokurorial të Kosovës nëpërmjet aktiviteteve në kuadër të programeve të ndryshme që aktualisht janë duke u zbatuar në Kosovë, si nisma e drejtësisë procedurale që ka për qëllim ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të institucioneve të drejtësisë, forcimin e besimit të publikut në këto institucione dhe në sundimin e ligjit, gjithmonë duke aplikuar një qasje të drejtësisë të përqendruar tek njerëzit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke falënderuar Drejtorin e ri të Programit të USAID-it për Drejtësi, Garry Ledbetter, për vizitën në institucionin e Prokurorit të Shtetit, ka  vlerësuar si thelbësore mbështetjen dhe përkrahjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programeve dhe mekanizmave të ndryshëm e kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin për institucionet e drejtësisë në Republikën s Kosovës. ​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat