Pronari i bufesë së kuvendit: Beka i pi nga 30 espreso

Aktuale

Pronari i bufesë së kuvendit: Beka i pi nga 30 espreso

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 14:37
Bekë Berisha

Beqir Nika, pronari i restorantit “ShqiponjaBFB”, ka mohuar të shiten produkte serbe në bufenë e Kuvendit të Kosovës, shërbime të cilat i ofron kompania e tij.

Në një reagim ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Bekë Berisha, i cili të premten prezantoi produkte serbe të cilat pretendoi t’i ketë marrë nga bufeja e kuvendit, pronari i “ShqiponjaBFB” ka thënë se në bufenë e kuvendit nuk shërbehen produkte nga Serbia.

Nika,  tha se Bekë Berisha pi vetëm espresso.

“Beka [Berisha] ka dashur të bëjë politikë me këtë çështje. Nuk e di se ku i ka marrë ai ato lëngje, produkte të Serbisë. Ai 30 espresso i pi në ditë. Ne nuk shërbejmë aso produkte”, u shpreh Nika.

Sipas pronarit të firmës private që ofron shërbimet e bufesë në kuvend, restoranti që shërben me ushqim dhe pije deputetët është përdorur për politikë në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës.

“Dje, në bufe kanë qenë gazetarët dhe e kanë parë gjendjen. Bile shefi i Kabinetit të Konjufcës ka shkruar aty se po bëjmë politike me bufe, që bufeja në kuvend mezi qëndron gjallë me sende të Kosovës. Aty ka njerëz që mund të tregojnë për gjendjen në bufe”, tha Nika.

Mbi pretendimet e Bekë Berishës, komentoi të premten edhe Ilir Kërqeli, shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai tha se operatori ekonomik që ofron shërbimet e bufesë në kuvend shërben produkte serbe tash e 15 vjet.

“Kuvendi i Kosovës ka privatizuar shërbimet e bufesë, duke ja ofruar një operatori privat. Ky operator privat, ka marrëveshje me Kuvendin tash e mbi 15 vite”, u shpreh Kërqeli në një reagim në Facebook.

Nika, ndërkaq pohoi të ketë pranuar një paralajmërim nga Kërqeli përmes një komunikimi elektronik. Megjithatë, tha se nuk është e vërtetë që kompani shrben produkte serbe në kuvend.

“Është e vërtetë e-maili që e ka dërguar shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit. Ne i kemi thënë se nuk shërbejmë produkte serbe sepse nuk i kemi ato lëngje”, deklaroi Nika.

“ShqiponjaBFB” Sh.P.K. është një kompani në bashkëpronësi të Beqir dhe Fatmir Nikës, bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Ata janë familjarë të afërt me Bedri Nikën, ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“ShqiponjaBFB” menaxhon me bufenë e Kuvendit të Kosovës sipas një kontrate të negociuar për tre muaj, për shkak se procedurat e rregullta të tenderimit për bufenë janë bllokuar si pasojë e garës mes operatorëve ekonomikë në Gjykatën e Tenderëve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat