​Abazi e mbështet Xhavit Halitin, kundërshton Pacollin

Aktuale

​Abazi e mbështet Xhavit Halitin, kundërshton Pacollin

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 16:43
Pamje nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

Kundërshtime ka pasur sot në mes bashkëpartiakëve, Haki Abazi e Fitore Pacolli në Komisionin për Punë të Jashtme. Derisa Fitore Pacolli ka kundërshtuar fjalimin dhe pyetjet e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, kryetari i komisionit, Haki Abazi i ka dhënë të drejtë këtij të fundit.

Gjatë raportimit të ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë Donika Gërvalla, deputeti Haliti ka përmendur edhe udhëtimet e zyrtarëve qeveritar dhe deputetëve jashtë vendit, çka sipas tij shumë prej tyre janë të panevojshme.

Ai ka përmendur pjesëmarrjen e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli në konferencën Green Ballkan Network, organizuar nga partitë e Gjelbra të Evropës. Për këtë ka reaguar Pacolli.

Pacolli-Abazit: Mund ta lëshojmë mbledhjen e komisionit

“Kryetar nëse lejohet një diskutim i tillë ne detyrohemi ta lëshojmë sallën dhe me lënë pa kuorum, kështu që të lutëm e heq të drejtën sepse janë çështje profesionale”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka kërkuar të sqarohet lidhur me vozitën e saj duke thënë se Haliti i ka përmendur emrin, por kryetari i komisionit Haki Abazi fillimisht i ka dhënë fjalën deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj duke i thënë Pacollit që të presë një tjetër rast për përgjigjen e saj.

Abazi: Xhavit Haliti është deputet, i ka mendimet e veta

“Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vetë mendoj që jemi demokraci parlamentare, zoti Haliti i ka mendimet e veta është deputet i parlamentit, mund ta gjejmë rastin për t’iu përgjigjur për ato që mendojmë që, për t’u përgjigjur këtu ose në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e deputetit që të shtrojë çështje të cilat mund të jenë ose pjesë e brengosjes së tij/saj ose anëtarësisë prej nga vjen, prej votuesve. Kërkoj mirëkuptim për punën e adresimit së zonjës Pacolli, pas zonjës Kadrijaj”, ka thënë Abazi.

Vetëm pas kësaj, Pacolli është sqaruar për pjesëmarrjen e saj në konferencën në fjalë dhe pastaj e ka lëshuar mbledhjen e komisionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat