Reagon kompania e autobusëve “Halimaj Reisen”

Aktuale

Reagon kompania e autobusëve “Halimaj Reisen”

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 21:25
Pamje nga aksidenti

Kompania e autobusëve “Halimaj Raisen” ka reaguar pas raportimit të se shoferi i vrarë në Gllogjan, Gani Gjokaj, kishte rrahur përfaqësuesin e “Halimaj Reisen”, Fitim Halimajn.

Në reagimin e “Halimaj Reisen” thuhet se Fitimi në praninë e policisë e kishte falur tashmë të ndjerin Gjokaj, pas rrahjes që kishte ndodhur mes të dyve.

“Në prani të Policisë, në Stacionin Policor në Gjakovë, i kanë zgjatur duart njëri tjetrit dhe aty ka përfunduar gjithçka, pra ky rast është mbyllur atë ditë dhe nuk kemi pasur asnjë problem më me të ndjerin, përkundrazi pas kësaj kanë pasura raporte të mira kolegiale, pra Fitimi po atë ditë i ka falur tashmë të ndjerit atë akt dhe për këtë është dëshmitare Policia e Kosovës dhe familja e të ndjerit”, shkruhet në reagimin e tyre në Facebook.

Sipas tyre rasti mes Halimajt dhe Gjokajt ishte mbyllur po atë ditë kur kishte ndodhur.

“Shoferi i autobusit tashmë i ndjeri kishte pasur konflikt të lehtë fizik me puntorin e Kompanisë sonë, ashtu siç edhe prokuroria ka konfirmuar, ai kishte sulmuar Fitmin, por se rasti është mbyllur po atë ditë”.

Media sot ka raportuar se Gjokaj së bashku me një person tjetër me inicialet B.H., kishte sulmuar fizikisht Fitimim Halimajn më 16 tetor të vitit 2020 në Gjakovë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar rastin mirëpo ndryshe prej kompanisë “Halimaj Reisen”, ata kanë treguar se incidenti ishte zgjidhur me ndërmjetësim mes të akuzuarve dhe palës së dëmtuar më 12 shkurt të këtij viti.

“Në lidhje me pyetjet e juaja drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë, iu njoftojmë se: Rasti në fjalë është inicuar si “Lëndim i lehtë trupor”, dhe me datë 12.02.2021, është kryer me Ndërmjetësim”, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Kujtojmë se në mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona mbetën të vrarë, në mesin e tyre dy nxënës dhe shoferi i autobusit, pas një sulmi me kallashnikov në drejtim të autobusit në afërsi të fshatit Gllogjan të Deçanit.

Nga ky incident i plagosur mbeti edhe një person tjetër, nxënës, i cili është operuar në Spitalin e Pejës dhe gjendja e tij është stabile.

Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë arritur që të zbulojnë autorin ose autorët e krimit të trefishtë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione rreth këtij krimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat