Rrëfimi i reporterit për presidentin Rugova!

Aktuale

Rrëfimi i reporterit për presidentin Rugova!

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 09:30
Presidenti Rugova

Është natë dhe shumë njerëz kanë filluar ëndërrimet, kryesisht të atyre ideve dhe mendimeve që nuk i kontrollojmë dot, dhe vijnë padashtas mbase, tek ne. Ka dhe shumë të tjerë, që s’duan ta shohin tokën e errësuar dhe as këtë natë sterrë të zezë.

Janë ata njerëz në këtë mes me të cilët provuam të tregohemi solidar si vëllai me vëllain, motra me motrën, ... nëna me të bijtë e saj... si në tragjeditë e Durrësit, Thumanës...në Kroaci, në Bullgari deri tek kjo e Gllogjanit, ndërsa ka dhe përplot dhembje të mëdha shqiptare, shumë prej të cilave nuk do t’i njohim kurrë dhe s’do t’i marrim vesh se ekzistojnë.

I besueshëm dhe i paepshëm përballë të gjithëve

Ndërkohë, Fb shqip, ka filluar të prehet me imazhet e Presidentit Rugova nga adhurues të tij, mbështetës të dikurshëm dhe të sotëm të filozofisë së tij, ndërsa disa të tjerë nuk e lënë të qetë as sot kujtimin e mrekulluar me të, të të gjithë atyre njerëzve që e deshën atë deri në adhurim... për dikë ishte intelektual i rrallë, për disa të tjerë ikonë shqiptare, për të tjerë një dishepull rilindës, themelues i shtetit, patriark... deri tek ata që nuk ngurrojnë që me adhurimin e tyre ta shenjtërojnë.

Pa folur shumë për këndvështrimin intelektual, filozofik e politik, dua të shquajë ato, që dallova tek Rugova, gjatë kohës që unë isha reporter për Presidencën e tij, dhe kohën para se ai të zgjidhej në këtë post, nga viti 1999/2000 e deri gati në amshimin e tij me pak ndërprerje gjatë vitit 2004/2005, gjatë së cilës kohë pata rastin si rrallë ndonjë gazetar, të botoja edhe katër intervista në media të shtypura (një rast tjetër i humbur për shkaqe rastësore).

Rugova ishte një njeri, që mbi të gjitha e kishte njerëzoren në shpirt, ky besim i thellë i tij, i dha kuptim dashurisë së tij për atdheun, për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ishte superegoja e tij, që e bënte të veçantë edhe nga intelektualët dhe politikanët e tjerë, pra mbivënia e interesit të përgjithshëm mbi atë personal!

Ky piktakim i humanizmit me mbivënien e interesit të përgjithshëm shqiptarë në qendër, dhe me lidershipin e tij, e bënin të besueshëm dhe të paepshëm përballë të gjithëve, kundërshtarëve politik, armiqve, perëndimit skeptik dhe para popullit.

I vendosur dhe i gatshëm për të paguar çfarëdo çmimi, që mund t’i kërkohej nga ai, nuk ekzistonte shansi për kompromis për arritjen e pavarësisë; pas luftës pavarësia faktike është arrit thoshte kumbueshëm çdo herë - mungon vetëm njohja formale; prekshmëria e territorit nuk ekzistonte; identiteti shqiptar ishte i paprekshëm, kosovar ishte nocion për identifikimin me shtetin, jo për kombin; Kundër decentralizimit para statusit – njohjes ndërkombëtare të shtetit; Kundër trashëgimisë kulturore që favorizonte interesat serbe, dhe mohonte trashëgiminë kristiane të shqiptarëve dhe të monumenteve fetare.

Nxitës dhe promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të trashëgimisë arkeologjike, veçanërisht të asaj si thuhet parahistorike, që argumenton trashëgiminë tonë autoktone (si shihet në njërën foto, duke vëzhguar gjetjet arkeologjike në Bardhosh të Prishtinës, ku qenë gjetur artefakte që argumentonin trashëgiminë tonë të hershme, sipas mendimit tim mbi 7 mijë vjeçare, një tjetër gjetje e hyjneshës në fron, që shkon deri në 9 mijë e më shumë vjet lashtësi kulturore).

Veriu është i Kosovës

Për veriun: Thoshte se ishte i Kosovës, dhe se gjendja atje ishte momentale, dhe se për këtë ishte garantuese prania ndërkombëtare dhe në një të ardhme të afërt, gjërat do biejnë në vend!

Për shqiptarët jashtë Kosovës: Pavarësia e Kosovës është kompromisi i dhimbshëm, sepse përndryshe pa këtë kompromis çështja shqiptare në Jugosllavi do të shtrohej së bashku me Kosovën Lindore, Maqedoninë, Malin e Zi!

Këtë ia thoshte edhe përfaqësuesve amerikanë, që kërkonin kompromise në bisedimet e nisura në Vjenë, që do të rezultonin me pakon Ahtisari.

– Prandaj, edhe unë mbeta një kritikues sistematik i kompromiseve që ofronte dhe bëri politika e Kosovës në Vjenë.

-Gjithsesi për Rugovën nuk do të kishin dhe do të ishin të pamundura bisedimet në Bruksel për kompromise të reja ndaj Serbisë dhe në dëm të shtetit të Kosovës!

-Prandaj përherë isha kundër kompromiseve të reja në dëm të identitetit shtetëror, pasi tashmë Pakoja e Ahtisarit ishte bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa, këta që përkrahën Asociacionin dhe kompromiset tjera në dobi të zhbërjes së shtetit, paraqiten edhe si kosovocentrist. Kosovocentrist dhe zhdukës të Kosovës apo të shqiptarëve brenda saj, nuk mund të ketë! Madje ka edhe disa që kësaj mundohen t’i japin kuptim duke keqkuptuar apo keqinterpretuar Rugovën, qoftë rastësisht apo për propagandë!

Për bashkimin kombëtar: Integrimi po fillon me lëvizjen e lirë (të cilën nuk e kishim dhe as që mund ta paramendonim vajtje-ardhjen e lirshme), kulturën, arsimin, ekonominë... kufiri dhe dallimet e vogla (që kryesisht vijnë për shkak të sistemit komunist atje, dhe zhvillimit për një kohë të ndarë), ndasitë tjera me kohë do të shuhen, kemi një gjuhë, një traditë, një trashëgimi...

Identiteti kulturor dhe shtetëror dardan-shqiptarë shtrihej nga ekzistenca e shtetit të parë dardan para më shumë se 32 shekujve – pjesëmarrës vendimtar në luftën (luftërat) e Trojës!

- Popull biblik apo sipas librave më të vjetër të shenjtë!

Kjo ishte ‘apotheoza’, që serbët dhe as miqtë e serbëve nuk e thyenin dot! Ky identitet politik e kulturor i yni, shërbente si amza e strukturimit të të gjitha ideve, rreth të cilave ndërtohej edhe imazhi perëndimor i shqiptarëve, me simbolikën e Konstandinit të madh, Justinianit... Skënderbeut dhe Nënë Terezës!

Shqiptaro-censtrist - “Bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë, (nëse në asnjë mënyrë tjetër) në Europën e Bashkuar”!

Rugova mbi të gjitha ishte, mund të themi me plotëkuptimin e fjalës një shqiptaro-censtrist (iliro-dardan), që në fund të fundit gjithmonë e artikulonte, me kompromisin e dhimbshëm sintagmatik: “Bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë, (nëse në asnjë mënyrë tjetër) në Europën e Bashkuar”!

Të gjithë ata që flasin ndryshe, argumentojnë jashtë dëshmive të tij, jashtë dëshmisë sime, për të cilën i sfidojë kushdoqofshin ata interpret!

Njohja dhe respekti për Rugovën, kishte marrë aq kuptim, sa sipas dëshmisë së gazetarëve, rojet e sigurimit amerikan, u kishin thënë atyre: Ju pasni një engjëll, dhe jo një politikan. Kjo pasi ai ishte aq njerëzor, sa edhe rojeve të sigurimit amerikan në vizitat në SHBA, gjatë darkave ju thoshte uluni pushoni, nuk keni pse mundoheni (fjalë të Rugovës, të kujtuara këtu me parafrazim).

Ashtu siç nuk u përplas me asnjë kundërshtarë politikë shqiptarë në Kosovë apo në Shqipëri, refuzoi ta bënte një gjë të tillë deri në fund (duke besuar në njerëzoren-mbinjerëzoren, njeriun që përngjason apo korrespondon me hyjin)!

Idriz Morina

Ps.

Unë isha aty përherë, për të raportuar edhe 5 herë në ditë, i vetmi gazetar që brenda një dite të vetme ngjitesha Velanisë në mbi 90 % të rasteve në këmbë!

Unë isha nga të paktët dhe ndoshta ndër të vetmit reporter, që zbardhja incizimin aq shpesh dhe kurdoqoftë thënë, me sintagmat e tij.

Prishtinë, 2 dhjetor, ende pa zbardhur mëngjesi!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat