Një i akuzuar për pjesëmarrje në grup terrorist

Aktuale

Një i akuzuar për pjesëmarrje në grup terrorist

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 06:16
Ilustrim

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti akuzë ndaj një të kthyeri nga Siria për pjesëmarrje në grup terrorist.

Prokuroria tha se tashmë i pandehuri N.L.”me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim, iu ka bashkëngjitur organizatës terroriste “Gjabat Al –Nusra” në Siri. Pasi ka përfunduar ushtrimet taktike dhe luftarake, i pajisur me armë, ka marrë pjesë aktive në luftimet në Siri. Më pastaj me 28 prill të vitit 2013 përmes aeroportit të Stambollit është kthyer në Kosovë”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri është kthyer sërish në Siri, bashkë me bashkëshorten, dy vajzat dhe nusen e djalit. “Në Gazientep ai është pritur nga pjesëtarët e grupit militant Shteti Islamik (ISIS) dhe duke kaluar kufirin rrugëve të paligjshme kanë depërtuar në Siri, fillimisht në qytetin Bablimon e më pastaj në qytetin Gjerablus, ku edhe janë shoqëruar nga i biri i tij dhe një person tjetër, nga i cili është pajisur me pushkë automatike dhe municion, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë”.

Prokuroria tha se më vonë ai “është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më datën 17 korrik të këtij viti dhe është riatdhesuar në Kosovë”.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej.

Në prill të vitit 2019, Kosova riatdhesoi 110 veta nga Siria. Shumë nga burrat e riatdhesuar janë akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste. Në muajin korrik të këtij viti prej andej janë kthyer edhe 11 të tjerë.

Autoritetet në Kosovës besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat