Arratisja e Sami Lushtakut nga QKUK, ja dëshmia e mjekut

Aktuale

Arratisja e Sami Lushtakut nga QKUK, ja dëshmia e mjekut

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 14:01
Pamje nga gjykata

Mjeku i përgjithshëm i Qendrës Korrektuese në Dubravë, Shkumbin Berisha thotë se i kujtohet se e kishte vizituar Sami Lushtakun dhe se të njëjtin e kishte udhëzuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke u bazuar ne rekomandimet e kardiologut specialist në QKUK.

Këtë deklaratë Berisha e ka dhënë të hënën në cilësinë e dëshmitarit, gjatë seancës së rigjykimit ndaj të akuzuarave Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri për arratisjen e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar në QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Shatri, avokatit Ardian Gjoshi, ka thënë se udhëheqës i tij në atë kohë ka qenë i akuzuari Shatri dhe se atij i ka raportuar.

Por sipas tij, gjatë kujdestarisë 24 orësh si mjek kujdestarë kanë pasur kompetencë të plotë të veprojnë në bazë të gjendjes së pacientit, pa u konsultuar me udhëheqësin e tyre.

I pyetur nga avokati Gjoci për rastin e pacientit Shkëlqim Latifaj, dëshmitari ka thënë se në bazë të kompetencave të tij, kishte vendosur që këtë pacient ta pranoj në spitalin e burgut për përcjelljen e gjendjes shëndetësore të tij, pasi i njëjti sipas tij ka pasur probleme shëndetësore.

Ai tha se për këtë rast, pasi pacienti ishte pranuar në spitalin e burgut, e kishte thirrur në telefon i akuzuari Shatri dhe se ky iu kishte përgjigjur “u kry, është vendos”.

Lidhur me këtë deklaratë ka kërkuar shpjegim prokurorja speciale, Florie Shamolli, ku më pas dëshmitari është përgjigjur se nuk e di pse e kishte thirrur i akuzuari Shatri, po që sipas tij ka qenë gjendja momentale e tij që e ka dhënë këtë përgjigje, pasi stafi korrektues nuk dëshironte ta aprovonte rekomandimin e tij.

Tutje, dëshmitari Berisha ka thënë se spitali referent i Qendrës Korrektuese në Dubravë sipas dokumentit të praktikave standarde të veprimit është spitali më i afërt rajonal, e që në rastin konkret sipas tij është Spitali i Pejës.

Por që sipas tij, në rastet kur nuk ka kushte Spitali i Pejës si nivel sekondar, atëherë pacienti dërgohet me rekomandim të nivelit sekondar në QKUK si nivel terciar, si dhe në QKUK mund të dërgohet sipas tij edhe kur ka rekomandim nga specialisti përkatës për dërgim direkt ne nivelin terciar.

Ai ka mohuar të ketë pasur presion apo ndërhyrje nga i akuzuari Shatri, lidhur me trajtimin mjekësor të pacientit Lushtaku.

“Jo vetëm në atë kohë, por asnjëherë sa ka qenë udhëheqësi im Nexhib Shatri nuk kam pas presion nga ai, as për personin në fjalë dhe as për ndonjë person tjetër”, tha dëshmitari Berisha.

Në seancën e sotme është planifikuar edhe dëgjimi i dëshmitarit Milazim Gjocaj, por që i njëjti nuk është paraqitur në seancë për shkak të disa planifikimeve tjera të mëhershme, e mbrojtja e të akuzuarve janë pajtuar që ta tërheqin propozimin për dëgjimin e këtij dëshmitari.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Berisha, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale, por që prokurorja Shamolli ka kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se për secilën provë të propozuar i duhet ta përgatisë nga një arsyetim të shkurtër dhe se sot nuk është përgatitur pasi siç tha ajo sot ishin planifikuar të dëgjohen dy dëshmitar.

Një propozim i tillë i prokurores Shamolli nuk u kundërshtua nga mbrojtja, e që më pas u aprovua nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuqi.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 11 janar 2022.

Ndryshe, ky rast më pare është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësi Agim Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1,000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat