Escobar para vizitës në Shqipëri tregon a e mbështet “Ballkanin e Hapur”

Aktuale

Escobar para vizitës në Shqipëri tregon a e mbështet “Ballkanin e Hapur”

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 17:37
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Në prag të vizitës së parë zyrtare në Tiranë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur besimin se Shqipëria me shumë mundësi do të bëhet në të ardhmen anëtare e Bashkimit Evropian.

“Kur shikon rajonin në tërësi administratat fiskale në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut i bëjnë ato unike dhe kështu kualifikohen për anëtarësim në BE. Ne jemi dëshmitarë të rritjes ekonomike fenomenale në Ballkanin Perëndimor. Me integrimin evropian dhe të gjitha proceset e lidhura ekonomike në rajon do të ketë një burim rritjeje dhe zhvillimi për Evropën. Integrimi i shpejte i këtij rajoni do të jetë një burim rajonal për sektorin e energjisë, transportit, sektorit të IT, teknologjisë dhe duke pasur parasysh qendrat e mëdha universitare”.

I pyetur për faktin faktin se ka rezistencë ndaj projektit “Ballkani i Hapur” në Bosnje Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, që nënkupton krijimin e një tregu të përbashkët dhe zonës ekonomike mes vendeve të rajonit, Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë iniciativë.

“Ne mbështesim çdo përpjekje për integrimin ekonomik rajonal, Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTen dhe Ballkanin e Hapur. Për sa kohë që është e hapur për të gjitha vendet, për sa kohë që ofron sisteme ligjore dhe rregullatore dhe i ngre ato në nivel evropian, për sa kohë që promovon drejtësinë, tregtinë e hapur, ne do t’i mbështesim këto parime”.

I dërguari amerikan për rajonin thekson se integrimit ekonomik duhet t’i paraprijë krijimi i institucioneve të forta ndërsa administrata e re amerikane është e fokusuar në radhë të parë në problemin e korrupsionit.

“Nuk mund të kesh iniciativë për kufijtë e hapur nëse nuk ke rregullore të përshtatshme për hyrjen e njerëzve, kundër pastrimit të parave, kundër kontrabandës etj. Në fund të fundit, ekonomitë e kësaj zone nuk mund të funksionojnë nëse keni një treg prej 600,000 në Mal të Zi ose 2 milionë në Maqedoninë e Veriut. Ju duhet një treg nga 20 milionë që të gjithë të marrin pjesë në të. Kjo është baza mbi të cilën ne kushtëzojmë mbështetjen tonë për “Ballkanin e Hapur”.

Escobar ka vënë në dukje se në ditët në vijim edhe politika e re amerikane e sanksioneve ndaj individëve të korruptuar do të zgjerohet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat