Vrasja misterioze e majorit të TMK-së Skënder Gashit!

Aktuale

Vrasja misterioze e majorit të TMK-së Skënder Gashit!

Nga: Idriz Morina Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 12:39
Luftëtari Skender Gashi, i vrarë në liri

Numri i vrasjeve në Kosovë nga strukturat e krimit të organizuar duket të jetë shumë më i lartë apo të paktën sa dyfishi i vrasjeve politike. Shumë vrasje si duket u kryen me motive për fshehjen e vrasjeve politike.

Gjykata speciale do të merret aktualisht vetëm me vrasjet e kryera deri me 31 dhjetor të vitit 2000.

Sot, do të mbahet edhe një konferencë nga gjykata speciale për të akuzuarit e parë, Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Ata akuzohen se kanë kryer vrasje, tortura, abuzime dhe zhdukjen me forcë të personave. Ndërsa, sipas pikës 37, kanë identifikuar dhe targetuar kundërshtarët duke kryer vepra rrëmbim, keqtrajtimi etj.

“37. Anëtarët e JCE duke përfshirë ata që janë të lidhur ngushtë me Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup KRASNIQI, mbajtën role kryesore në UÇK, dhe më pas strukturat e PGoK. Anëtarët e JCE, duke përfshirë edhe ata në strukturat e policisë dhe inteligjencës ushtarake, kanë identifikuar dhe targetuar kundërshtarët duke kryer vepra, rrëmbim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim. Të paktën nga Prilli 1998, kanë vazhduar gjatë gjithë periudhës së akuzës, anëtarët e UÇK-së kanë operuar duke arrestuar qindra kundërshtarë, janë keqtrajtuan dhe / ose u vrarë nga Anëtarët e JCE”, thuhet në aktakuzë.

Por, a kishte pasur dëshmitarë në vendngjarje?

Një nga vrasjet e pazbuluara është ajo e Ekrem Rexhës “Komandant Drinit”, i cili u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000.

“Drini” atëherë, ishte drejtor komunal për Emergjencë në Prizren. Në momentin kur ai ishte nisur të shkonte në punë, ishte qëlluar me armë automatike, nga ana e shoferit ku ishte duke e kontrolluar defektin e veturës, që dikush ia kishte shkaktuar.

Sipas hetimeve të policisë së UNMIK-ut, mbi trupin e tij janë zbrazur 17 plumba (tre në kokë dhe 14 në trup).

Këtu edhe fillon drama jetësore për Skënder Gashin, që tashmë ishte me thirrjen major në TMK. Ky do të bëhej menjëherë cak i sulmit të atyre që e kishin likuiduar ‘Drinin’.

Skender Gashi njihej me nofkën komandant “SIGI”, në UÇK, Zona Operative e Pashtrikut, Brigada 124 ″Gani Paçarizi”. Ai ishte nga fshati Sopniq i Rahovecit.

Pas luftës Skënder Gashi ishe epror i lartë i Zonës së II të TMK-së dhe komandant i Batalionit të Logjistikës në Sallagrazhë.

Si i ri kishte dalur në kurbet, dhe atje ishte vlerësuar si një ndër punëtorët më të mirë, i sjellshëm, dhe kishte pasur rastin të punonte në firmën e madhe të Austrisë, Shtrabak Linz!

Por, kanë kaluar 21 vite nga vrasja e tij, makabre, me mjete të ndryshme, dhe ende nuk ka gjurmë që është arrestuar dikush apo as se si kanë rrjedhur hetimet.

Autorë të ndryshëm, vrasjen e eprorit të TMK-së Skënder Gashit e lidhin drejtpërdrejtë me vrasjen e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit”.

Vrasje makabre

Kjo motivohet edhe nga fakti se askush nuk ka gjetur tek jeta e tij, se nëse gjatë luftës apo pas përfundimit të saj, ka pasur ndonjë konflikt fizik apo edhe verbal me bashkëluftëtar të tij, epror, e aq më pak me fqinjë apo të afërm. Ai po ashtu me ndershmërinë e tij nuk kishte pranuar të uzurponte prona, toka, banesa apo lokale afariste.

Sipas pohimeve të këtyre autorëve, të gjitha konvergjojnë në një situatë të vetme: Ai ishte dëshmitar i skenës makabre të ekzekutimit të komandant “Drinit”. Si duket ai do të ketë treguar se kush ishin katër pjesëmarrësit në vrasjen e “Drinit”. Ky informacion i dalë nga ai, e bëri të rrezikshëm, dhe se grupi i inkriminuar nuk mund të jetonte i qetë.

“Ndërkaq, autorët e vërtetë të këtij krimi ndaj komandant "Drinit", duke e ndjerë rrezikun e identifikimit të tyre e mbase edhe arrestimit nga policia e UNMIK-ut, përgatisin dhe realizojnë edhe një akt kriminal: e likuidojnë në mënyrën me mizore eprorin Skënder Gashin”.

Skender Gashi sipas atyre që e kanë njohur dhe më pas botuar shkrime për të vlerësohej si djalë shembullor dhe trim, ushtarë dhe eprorë i dalluar, i çmuar në Rahovec e rrethinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat