Gjini tregon nëse synon udhëheqjen e AAK-së

Aktuale

Gjini tregon nëse synon udhëheqjen e AAK-së

Më: 8 janar 2022 Në ora: 10:30
Ardian Gjini

Prej më shumë se një muaji, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hyrë në proces zgjedhor të brendshëm, që do të zgjasë deri me 1 qershor të këtij viti. Deri më tani nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini si kryetar të Aleancës e sheh vetëm Ramush Haradinajn, duke bërë kështu të ditur se i njëjti nuk e synon këtë pozitë.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, në një intervistë ka folur për zgjedhjet e brendshme në parti, rezultatin në zgjedhjet lokale, si dhe për prioritetet e tij në mandatin e dytë në krye të qytetit të Gjakovës.

Gjini thotë se Aleanca ka hyrë në zgjedhje të rregullta dhe se derisa është kryetari themelues do ta mbështesin të njëjtin në postin e të parit të partisë.

Gjini: Sa ta kemi kryetarin ne e mbështesim

“Ne kemi hyrë në zgjedhje, janë të rregullta. Aleanca e ka kryetarin e vet dhe ne duhet të shohim kur kryetari kandidon ne e kemi kryetarin themelues, rrethanat janë të ndryshme. Mirëpo po e them edhe një herë nuk është veç kjo tema që po ndodh tek ne, temë edhe më e rëndësishme është rikthimi i vetëbesimit të aktivistëve dhe të anëtarëve të kryetarëve të degëve se po Aleanca është rikthyer dhe mund të ecë edhe më shpejtë. Çështjet e tjera janë çështje të zgjedhjeve në Aleancë edhe e kemi një proces para vetës, një proces pothuajse po duket që ka me qenë perfekt. [...] Sa ta kemi kryetarin ne e mbështesim për shkak se e kemi kryetarin themelues të partisë, duhet t’i kuptojmë këto çështje”, thotë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në zgjedhjet lokale ka arritur të shënojë fitore në pesë komuna, e që Gjini këtë e quan rezultat të mirë pas rezultatit që kjo parti arriti në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën para një viti.

Gjini: Aleanca ka arritur që t’i mbajë komunat që i ka pasur

“Patjetër që është një rezultat i mirë, tani çka quajmë rezultat të mirë. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ka pasur shumë dilema, ka pasur skepticizëm, mirëpo Aleanca ka arritur që t’i mbajë komunat që i ka pasur, përpos Junikut që na vjen keq për pak vota e kemi humbur. Kryetarët e komunave i kanë fituar zgjedhjet dhe Aleanca ka dalë shumë e fuqishme edhe nëpër asamble komunale në të gjitha këto komuna. Do të thotë është një rezultat rikthyes praktikisht pas një rezultati jo të dëshiruar në fillim të vitit”, thotë Gjini.

Në intervistën Gjini flet edhe për prioritetet e qeverisjes së tij për katër vitet e ardhshme në krye të Komunës së Gjakovës.

Ai thotë se gjatë mandatit të parë ka punuar shumë në infrastrukturën rrugore, në ndriçim, në furnizim me ujë të pijes dhe në kanalizim.

E investimet në kanalizim, Gjini thotë se do t’i vazhdojë edhe në këtë mandat meqenëse është një problem që kërkon kohë të zgjidhet.

Gjini: Na presin shumë punë me kanalizime

“Na presin shumë punë me kanalizime, trajtim të ujërave të zeza, është projekt shumë i madh. Në qytet po përmbyllet pothuajse edhe impianti dhe kolektorët, por në fshatra duhet të punojmë seriozisht. [...] Ne duhet të punojmë që këto kyçje, ose këto derdhjet të kanalizimeve, t’i lidhim nëpër kolektorë, t’i mbledhim, t’i grumbullojmë dhe t’i trajtojmë nëpër impiante. Ky është proces goxha i gjatë dhe është goxha i kushtueshëm, do të thotë nuk besoj që dikush sot mundet të tregojë saktë kur do të përfundojë i gjithi. Mirëpo duhet të synojmë që diku mes katër dhe gjashtë vite maksimum ne t’i trajtojmë këto ujëra”, thotë ai.

Përveç këtij projekti, kreu i Gjakovës thotë se gjatë katër viteve të ardhshme do të shtyjë përpara projekte si stadiumi i qytetit, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe krijimi i parkingjeve.

Ndërsa, deklaron se vëmendje të veçantë do t’i kushtojë investimeve në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Gjini thotë se gjatë vitit të kaluar ekonomia e kësaj komune ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, madje thotë se rritje kanë shënuar edhe bizneset përkundër pandemisë.

Gjini: Ekonomia e Gjakovës ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme

“Ekonomia e Gjakovës e ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, rritje të cilën nuk e ka shënuar pothuajse asnjëherë më parë në një periudhë kaq të shkurtër. E kemi një bum ekonomik. Kjo ka reflektuar edhe në të hyrat komunale edhe në investimet tona, të hyrat vetanake pothuajse janë dyfishuar për katër vite, sivjet arrijmë diku në 4.7 milionë euro. Edhe bizneset kanë shënuar rritje”, thotë ai.

Sa i përket ndërtimit të rrugës Gjakovë-Prishtinë, Gjini thotë se me buxhetin që është miratuar nga ana e qeverisë vështirë se do të përfundojë brenda afatit të paraparë.

Ndërtimi i kësaj rruge po bëhet nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, për çka i pari i Gjakovës thotë se është detyrë e Qeverisë që të gjejë fondet për financimin e kësaj rruge.

Gjini: Me buxhetin e kaluar në Kuvend rruga nuk mund të përfundojë

“Në momentin që është kontraktuar qëllimi ka qenë që deri në vjeshtën e vitit 2022 të përfundojë e gjitha. Do të shohim se a do të gjejë Qeveria mënyra të tjera të financimit të rrugës, për shkak se me buxhetin të cilin e kanë paraparë, e i cili ka kaluar në Kuvend, nuk mund të përfundojë brenda afatit i cili ka qenë i paraparë. Kjo është rrugë e kontaktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit tash dhe është obligim i tyre për ta kryer këtë rrugë. [...] Pjesa më e rëndësishme është buxheti, për shkak se dinamika mund të rritet nëse Qeveria e buxheton rrugën, një pjesë e mirë e trasesë është tani më e pastruar dhe e shtruar, urat nuk kanë filluar, janë disa ura që duhet të ndërtohen. Nëse do të ketë buxhet, rruga do të mund të përfundohet në kohë, nëse nuk ka buxhet do të vonohet fatkeqësisht”, thotë ai.

Ardian Gjini ka arritur të marrë mandatin e dytë në krye të Gjakovës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku ka mposhtur kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat