Kështu rrodhi aksioni i policisë kundër kriptovalutave

Aktuale

Kështu rrodhi aksioni i policisë kundër kriptovalutave

Më: 8 janar 2022 Në ora: 20:36
Foto ilustrim

Policia e Kosovës në bashkëpunim me doganën kanë zhvilluar një aksion special për të zbuluar vende se ku po kultivohet prodhimi i kriptovalutave.

Në njërin nga vendbanimet më veriore të Kosovës, madje në një stallë shtazësh u gjet ajo që po kërkohej.

“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të pajisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të Komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente”, thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashkët të të dy Institucioneve.

Autoritetet kanë paralajmëruar aksione tjera si ai i së shtunë.

Më 4 janar, qeveria kosovare mori vendim që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave, si masë emergjente mbi pohimin se pajisjet me të cilat prodhohen ato shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Dyshohet se aktiviteti për krijimin e valutave-kripto lulëzoi në katër komunat në veri të Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë rrymën e harxhuar që nga paslufta e këndej.

Për rastin e Leposaviqit, kanë reaguar disa anëtarë të kabinetit qeveritar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky është një lajm i mirë për vendin.

“Mbi 50 mijë euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion. Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm” shkroi Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat