​Kurti: Duhet të jemi të bashkuar që ta çojmë në vend amanetin e dëshmorëve

Aktuale

​Kurti: Duhet të jemi të bashkuar që ta çojmë në vend amanetin e dëshmorëve

Më: 17 janar 2022 Në ora: 23:08
Kryeministri Albin Kurti

Flaka e Janarit, është jo vetëm përkujtimi i dhembjes për humbjen e heronjve tanë në luftën për liri, por njëherësh është edhe drita e flakës që ndriçon rrugën e brezit tonë dhe të brezave që do të vijnë për një të ardhme të ndritur të atdheut tonë.

Kështu u tha në Akademinë e Janarit 2022 në kuadër të 31-vjetorit të manifestimit kombëtar të kulturës "Flaka e Janarit" sonte në Gjilan. 

Kryeministri Albin Kurti tha se janari është muaji i dhembjes në historinë shqiptare. 

Ai përmendi vdekjen e heroit kombëtar Skënderbeu më 1468, vrasjen e Isa Boletinit 1916, vdekjen e Ismail Qemajlit 1919, rënien e Rexhep Malës e Nuhi Berishës 1984, masakrën në Reçak 1999, që të gjitha kishin ngjarë në muajin janar.

“Si pasardhës të gjeneratave të tëra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet shqiptare, vazhdimisht marrim energji nga zjarri i mbajtur ndezur me jetën, veprën dhe vdekjen e tyre nga Gjon Sereçi, Metush Krasniqi e i madhi Adem Demaçi me shokë dhe shumë prijatarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim dritë nga Flaka e Janarit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit, Nuhiut, Zijahut, Bajramit, Afrimit, Fadilit e mijëra veprimtarëve të rënë në epoka të ndryshme deri te Lufta Çlirimtare e Adem Jasharit dhe UÇK-së dhe mijëra dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës”, tha Kurti.

Duke marrë si shembull aktivitetin e Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në botën e jashtme demokratike përmes së cilit njoftohej opinionin ndërkombëtar për shtypjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Kurti foli për rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare, e cila po shndërrohej në një forcë të madhe me potencial politik, ekonomik, e intelektual për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila kulmoi me luftën çlirimtare në Kosovë më 1998 dhe 1999.

“Amaneti i Rilindësve se vetëm bashkimi i penave dhe pushkëve e sjell lirinë e popullit, për herë të parë u realizua në trojet shqiptare nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me shokë. Bashkë me përkujtimin për Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sot dhe përgjithmonë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato bija e bij, gra e burra, vajza e djem, që me jetën e tyre e mbajtën të ndezur flakën e Lirisë ndër shekuj. Ne duhet të mësojmë nga jeta, vepra dhe betimi i tyre për atdheun, prandaj të gjithë qytetarë të thjeshtë dhe bartës të funksioneve shtetërore, duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha Kurti.

Më pas kryeministri Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyeni vizituan ekspozitën kolektive të artit pamor në kuadër të manifestimit "Flaka e Janarit". 

Ndryshe, “Flaka e Janarit” është një festival kulturor, i cili fillon më 11 janar në Gjilan me ndezjen simbolike të flakadanit, për të vazhduar deri më 31 janar me aktivitete të ndryshme kulturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat