Zemaj reagon për rritjen e rasteve me COVID

Aktuale

Zemaj reagon për rritjen e rasteve me COVID

Më: 20 janar 2022 Në ora: 00:23
Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID në vend, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar dy mijë e 50 raste të reja me këtë virus.

Sipas Zemajt, qeveria e ka për detyrë ta menaxhojë situatën e krijuar pandemike, pasi, sipas tij, është shqetësuese për të gjithë shoqërinë.

“Ky komoditet i ofruar në këta tre muaj, pothuajse një heshtje totale rreth asaj se çka po ndodh me menaxhimin e pandemisë, nuk ka ndonjë vrojtim efikas, tash i sjell këto pasoja, do të thotë se qeveria nuk e ka prioritet, nuk e ka pasur asnjëherë, ma shumë është marrë me retorikë, pa përkrahje për profesionistët shëndetësorë, ndonjëherë edhe përbuzje e fyerje, duke i paguar edhe lëmoshë, duke përjashtuar njerëz nga puna. Të zgjohen nga gjumi ata që e kanë përgjegjësi menaxhimin e kësaj situate”, ka thënë Zemaj.

Ai tha se qeveria nuk është duke u marrë aspak me gjendjen e krijuar me pandeminë dhe vetëm po merret me sjelljen e të dhënave të infektimeve ditore.

“Kemi më pak se dy javë kur kemi katërfishin e rritjes së numrit dhe unë mendoj se është numri më i madh për shkak të pamundësisë së njerëzve që të kenë testime masive, apo mobile, mbi të gjitha nuk ka identifikim të grupeve apo personave të kontaktit, nuk përcillet izolimi dhe ky është vazhdim i rritjes së infeksionit… Fatkeqësisht e kemi thënë edhe në dhjetor që qeveria duhet të përgatitej, omikroni ka ardhur në kufi të Kosovës, por kemi hyrë në muajin e tretë dhe qeveria fare nuk është marrë me situatën pandemike, më shumë është marrë me retorika boshe për të sjellë disa të dhëna ditore pa sensibilizim për vaksinim dhe mbi të gjitha është neglizhuar tej mase vaksinimi kundër gripit sezonal”, ka shtuar ai.

Zemaj tha se po përsëritet pjesa e dytë e vitit 2021, ku qeveria, me apo pa dashje, po krijon situata ku njerëzit po e ndiejnë veten komodë, duke mos e përfillur praninë e virusit.

“Po na përsëritet pjesa e dytë e vitit 2021 kur qeveria, me dashje apo pa dashje apo nga egoja se thuajse e mundi COVID-in, po krijohen situata kur njerëzit po ndihen komodë dhe fare nuk e kanë parasysh kujdesin që pandemia është prezente”, tha ai.

Sipas ish-ministrit, qeveria aktuale, për inate politike, ka shkëputur lidhjet me mekanizmat që merren me menaxhimin e situatës pandemike.

“Me inate politike janë shuar mekanizmat që kanë qenë për menaxhim, komiteti për menaxhim ndërinstitucional, bordi këshillëdhënës, s’kemi pasur traditë të mirë të menaxhimit të krizave”, vazhdoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat