Hekuran Murati: Normal që rritet çmimi i energjisë, sepse...

Aktuale

Hekuran Murati: Normal që rritet çmimi i energjisë, sepse...

Më: 20 janar 2022 Në ora: 18:03
Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se është normale që nuk po menaxhohen lehtë krizat, kjo pasi vendi po përballet edhe me pandeminë.

Këto deklarata ai i bëri në Kuvendin e Kosovës derisa ishte duke folur për rritjen e çmimit të energjisë, gjë për të cilën pushteti u kritikua shumë sot nga opozita.

“Normalisht që nuk është e lehtë të menaxhojmë me këto kriza shto pandeminë, shto inflacionin, shto rritjen e çmimit të energjisë elektrikë. Edhe SHBA-ja, edhe Britania e Madhe e ka këtë sfidë, çështja është se si menaxhohet”, ka thënë ai.

Ndryshe prej Hekuran Muratit, shefi i tij, Albin Kurti fajin për krizën energjetike ua la qeverive të kaluara.

Ai madje edhe për ngritjen e çmimit të rrymës tha se faj kanë pushtetet e mëparshme.

Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat