DASH: Kosova dhe Serbia të kenë prioritet dialogun

Aktuale

DASH: Kosova dhe Serbia të kenë prioritet dialogun

Më: 22 janar 2022 Në ora: 10:27
Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në “frymën e kompromisit të nevojshëm”, që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta kenë prioritetet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të punojnë në minimizimin e tensioneve dhe të ndjekin negociatat me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të nevojshëm për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse që do të mundësojë rrugën e tyre përkatëse evropiane”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Këtë përgjigje DASH-i e dha duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it për një raport të publikuar së fundmi nga Institutit për Politika të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins (SAIS) dhe Qendrës Wilson, që ia rekomandonte administratës amerikane vendosjen e sanksioneve për politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë që me deklaratat e tyre promovojnë bashkimin e të dyja shteteve.

“Ne e vlerësojmë këndvështrimin akademik dhe të organizatave për këto çështje. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një Kosovë sovrane, të pavarur, multiektnike, siç parashihet në Kushtetutën e saj”, tha zëdhënësi i DASH-it, duke mos e komentuar këtë raport.

Një nga kontribuuesit në raportin e titulluara “Nga kriza në konvergjencë - Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”, Lulzim Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se e sheh si mundësi reale që SHBA-ja të sanksionojë politikanët që promovojnë “bashkimin” e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në një të ardhme të afërt, nëse aktorët kryesorë politikë nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre politike, unë mendoj që ky opsion është shumë real, sepse, praktikisht, një retorikë e tillë e pengon stabilizimin e Ballkanit, por edhe arritjen e zgjidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Peci.

Por, vendosja e sanksioneve për këtë çështje nuk duket si masë reale për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi.

“SHBA-ja nuk e ka praktikë të sanksionojë opinione. Në raste të tilla praktikohet shmangia e vizitave ose izolimi politik”, tha Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion.

Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall 'persona non grata' (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit.

Zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar se SHBA-ja do të sanksionojë edhe politikanë të tjerë në këtë rajon.

DASH-i tha se SHBA-ja është e përkushtuar për suksesin e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e këtyre shteteve në BE, përfshirë edhe Kosovën “si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara në të gjitha nivelet për suksesin e rajonit dhe Zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor [Gabriel Escobar], së bashku me ambasadorët e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, mbeten bashkëbiseduesit kryesorë të SHBA-së për këto çështje”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat