Dijetari thoshte: “Demokracia e do stupcin te dera”, Merovci e shpjegon këtë shprehje të Presidentit Rugova

Aktuale

Dijetari thoshte: “Demokracia e do stupcin te dera”, Merovci e shpjegon këtë shprehje të Presidentit Rugova

Nga: H.O. Më: 24 janar 2022 Në ora: 00:19
Arkiv

Një nga njerëzit të më afërt të tij, që ishte në ҫdo hap me Presidentin Rugova, Adnan Merovci në një rrëfim ekskluziv për ‘Bota sot’ ka folur në këtë përvjetor të vdekjes së Presidentit, duke sjellë edhe projektet që i kishin mbetur në gjysmë.

Merovci: Kryeprojekti i Presidentit RUGOVA ishte pavarësia e Kosovës

Merovci thotë se ndër projektet e para që donte të realizonte President Rugova, ishte Pavarësia e Kosovës, të cilën e arriti edhepse nuk e priti fizikisht. Gjithashtu, Merovci ka numëruar edhe projektet tjera që kanë mbetur pa u kryer nga Presidenti.

“Kryeprojekti i Presidentit RUGOVA ishte pavarësia e Kosovës. Ai punoi tërë jetën dhe realizoi këtë pavarësi të cilën ndërkombëtarisht të pranuar nuk e priti fizikisht por kjo nuk dmth që ne të harrojmë porositë dhe parashikimet e tij prej Dijetarit që neve na mbesin ti shtyejmë para deri në realizimin e plotë të tyre. Moto e Dijetarit RUGOVA ishte: Liri, Pavarësi, Demikraci! Nëse themi se Liria dhe Pavarësia deri diku janë realizuar, atëher pyesim për Demokracinë? Dijetari thoshte: “Demokracia e do stupcin te dera”! “Stupci” i kësaj motoje për Demokracinë e sotme është “Sundimi i ligjit”. Mund të konkludojmë se pjesa e fundit e motos së Dijetarit – Demokracia është organizëm i gjallë, çdoher është në lëvizje, që i bie se në vazhdimsi duhet ta kultivojmë dhe forcojmë përmes sundimit të ligjit. Përndryshe nga projektet që kanë mbetur dhe kërkojnë vëmendje në realizimin e tyre në plotni janë: pavarësia e plotë funksionale, demokracia brendashqiptare, integrimi i plotë në strukturat politike, ekonomike, kulturore, humanitare dhe ushtarake euro-atlantike, zhvillimi ekonomik, mirëqenja e qytetarëve etj”, rrëfen Merovci.

Duke qenë se ai ishte aq i afërt me Presidentin për veprat dhe të bëmat e tij, Merovci tregon edhe nëse është vlerësuar dhe harruar Presidenti Rugova nga institucionet e Kosovës. Merovci thotë se ‘Ai që harron Babanë e pavarësisë do të mallkohet nga populli’.

“Studiuesit dhe teoricientët sot shtetin e definojnë si gjendje faktike e jo juridike. Kjo dmth se Kosova sot është shtet por funksionimi i tij i plotë si i tillë është ende i dëshirueshëm. Kjo nuk duhet të na brengos iracionalishtë sepse trendet e sotme bashkohore botërore nuk njofin funksionim absolut të shtetit në kuptim të sovranitetit të tij për shkak të ndërlidhshmërisë, varësisë, standardeve dhe parimeve ndërkombëtare që e brishtësojnë sovranitetin absolut. Lindjes apo formimit të shtetit në rastin e Kosovës i ka paraprirë pavarësia e saj. Kur flasim për pavarësinë e Kosovës me gjithë atë rrugëtim të popullit deri në realizimin e saj, takohemi te Baba i pavarësisë që padiskutueshëm është Dijetari Ibrahim RUGOVA. Tani i takon njerëzve të shtetit që quhen pushtetar që mos të harrojnë Babanë e pavarësisë. Shteti është subjekt statik e pushtetarët lëvizin që dmth se nëse një klasë e një kohe të pushtetarëve harrojnë Babanë e pavarësisë atëherë ata gabojnë papërmirësueshëm dhe populli këto gjëra i vërenë. Pushtetarët nuk duhet të lejojnë të gjykohen nga populli për harresa të qëllimta për Babanë e pavarësisë. Mendoj se Presidenti RUGOVA mbetet përkujtues i obligimit tonë që mos ta harrojmë dhe të punojmë për forcimin e shtetit të Kosovës. Ai që harron Babanë e pavarësisë do të mallkohet nga populli”, thotë Merovci për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat