Mustafa tregon takimin me Merkelin

Aktuale

Mustafa tregon takimin me Merkelin

Më: 25 janar 2022 Në ora: 19:32
Isa Mustafa, Angela Merkel

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se e habit që në këtë krizë energjetike, kur është vendi, është hapur nga qeveria si diskutim tema e kompanisë gjermane “Bilfinger”, e cila vite më parë dëshironte të investonte në termocentralin Kosova A.

Sipas tij, ekzekutivi i tanishëm duhet të gjejë problemet e kësaj situate në vend se të merret me të kaluarën.

 Mustafa deklaroi se në kohën kur ai qeveriste, “Bilfinger” projektin e kishte prezantuar vetëm me programin Power Point.

“Unë kur kam ardhur si kryeministër, jam njoftuar se është një iniciativë e një kompanie gjermane që dëshiron të rivitalizojë Kosovën A ose që në hapësira të Kosovës A të instalohen pajisje të reja. Më vonë s’kemi qenë të sigurt a janë të reja, apo janë të përdorura në ndonjë termocentral në Gjermani, që e kishin mbyllur. Sipas tyre, do të prodhoheshin rreth 800 megavat energji elektrike në 400 rotorë prej 500 rotorëve. Është prezantuar vetëm si propozim, janë dhënë disa sllajde, për atë se si ata i kanë parë të vendosur gjeneratorët e rinj në vend të atyre të vjetërve”.

Ish-kryetari i LDK-së ka treguar se kur ishte në Gjermani për një vizitë, çështjen e “Bilfingerit” e kishte folur edhe me kancelaren e atëhershme gjermane, Angela Merkel.

“Kur kam shkuar në Gjermani, në bisedë me kancelaren Angela Merkel, është hapur kjo çështje, nga insistimi i firmës. Pse ne s’po punojmë në jetësimin e rivilatizimit të Kosovës A? Kam thënë se askush nuk e ka kundërshtuar rivitalizimin, por se jemi duke pritur firmën të vijë me propozime konkrete”.

“Në të njëjtën ditë u morëm vesh që të ulemi me përfaqësuesit e kompanisë dhe të bisedojmë. E mbajtëm një takim atë ditë, i pyetëm se ku janë. Ata na thanë se janë duke e bërë studimin, ne u kemi kërkuar: Sa do të jetë kostoja e një projekti të tillë, cilat janë burimet e financimit, çfarë ofron firma ‘Bilfinger’ pos montimit të stabilimenteve atje, të bëhet studimi i fizibilitetit, të shihet arsyeshmëria ekonomike e investimeve të tilla, të përcaktohet afati se kur përfundon ky investim, të përcaktohet norma e kthimit të investimit”.

Sipas tij, në atë takim asnjëherë nuk është treguar se sa do të jetë shuma apo se nuk kishte diçka konkrete.

“Në asnjë rast nuk është folur se shteti gjerman do të japë kaq para për ndërtimin e saj, sepse nuk ka pasur asnjë ide të financimit. Ata na kanë premtuar se për 15 ditë do të na dërgojnë propozimet iniciale, nuk na i kanë dërguar as për 15 ditë dhe asnjë kohë. Kabineti im ka insistuar t’i kemi vazhdimisht. Ata na premtonin, por kurrë nuk e ke kemi marrë asnjë propozim konkret për asnjë çështje. Çështja e Kosovës A nuk ka qenë çështje që mund të shprehet në fletë të bardhë. Kishte vetëm ide teknike se ne do ta bëjmë kështu gjeneratorin e dytë, të tretë, të katërt, duke e prezantuar me pamje në Power Point, por nuk ka pasur ide se kush do ta financojë edhe pse ne e kemi kërkuar”, ka thënë Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat