Sherr brenda PDK-së për Dardan Sejdiun

Aktuale

Sherr brenda PDK-së për Dardan Sejdiun

Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:44
Dardan Sejdiu

PDK-ja do që ta provojë për herë të parë pushtetin në Prishtinë me Dardan Sejdiun, duke e bërë atë nënkryetar të komunës. Kjo i ka revoltuar disa anëtarë të partisë, të cilët me vite presin për pushtet në kryeqytet.

Pozitën e nënkryetarit të Prishtinës, që e ka fituar nga koalicioni me LDK-në, PDK-ja do që t’ia jap Dardan Sejdiut. Dikur kundërshtari i madh i PDK-së dhe dikur njeriu i afërt i Albin Kurtit, vlerësohet nga koka e partisë, ndonëse disa të degës së PDK-së në Prishtinë nuk e duan atë.

 “Unë shpresoj që z. Dardan Sejdiu t’i bashkëngjitet PDK. Do të dëshiroja..”, ka thënë të martën zëvendëskryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kur u pyet për Sejdiun dhe konfliktin në parti, për të.  

Për nënkryetar të Prishtinës, njëherë është përmendur Blerand Stavileci, zyrtar i PDK-së që kohë pas kohe ka bartur pozita të rëndësishme, e gjithmonë ka synuar postet që lidhën me Prishtinën.

Të pakënaqurit e PDK-së thonë se nuk duan që pozita t’i jepet dikujt që akoma as nuk është anëtarësuar në parti. Ndërkohë, marrëveshja me LDK-në për Prishtinën është bërë, por PDK-ja nuk ka çuar akoma as emrat për drejtorë e as emrin e nënkryetarit.

Anëtarë të degëve të PDK-së në Prishtinë janë deklaruar për media se nuk e përkrahin emërimin e Sejdiut, por udhëheqja e partisë nuk zbrapset me vlerësimet për Sejdiun.

Çitaku mbrëmë tha se ajo personalisht do që partia e saj ta emërojë Sejdiun, në një pozitë shumë të rëndësishme për PDK-në.

“Unë nuk jam e përfshirë.. nuk jam anëtare e kryesisë së degës në Prishtinë. Unë nuk jam pjesë e diskutimeve kur flitet për emra, se kush duhet të jetë drejtor, kush nënkryetar. Por, unë do të doja që të ishte e vërtetë”, thotë Citaku, duke iu referuar spekulimeve për emërimin e Sejdiut.

Bujar Cakolli i PDK-së në Prishtinë tregon se ai dhe një pjesë e degës janë kundër Sejdiut.

“Sa i përket nominimit te nënkryetarit te komunës se Prishtinës, për Dardan Sejdiun deri tash nuk ka kurgjo zyrtare ka vetëm fjale ka indikacione që ka njerëz brenda PDK-së që kanë dëshirë me zgjedh Dardan Sejdiun po unë personalisht me një pjese te degës se partisë jemi kundër”, ka thënë Cakolli.

Përafrimi i Sejdiut me PDK-në është përfolur qysh kur u zgjodh kryesia e re e partisë. Në media, befas publikohej emri i ish-zyrtarit të LVV-së në kryesinë e PDK-së. Sejdiu nuk u deklarua për këtë, ndërsa gjatë zgjedhjeve lokale edhe njëherë po përflitej se Sejdiu ishte ndër njerëzit kyç në fushatën e Uran Ismailit të PDK-së, për kryetar të Prishtinës.

Opinionisti Valon Syla sot me një shkrim në Faceebok, e ka kritikuar degën e PDK-së në Prishtinë, që, sipas tij, s’po pranojnë hapje e po kritikojnë prurjet e mundshme të partisë.

“Hapne more partinë, krijoni mikpritje… se nëse vazhdoni kështu, sju vjen kerkush. E as ju vota s’merrni, qaq sa keni marrë ma herët, por edhe me LB, nja 700 copa e diçka… krijoni more kushte për prurje… tani edhe kritikoni..”, ka shkruar Syla.

Sejdiu ka qenë dhe njëherë tjetër nënkryetar i Prishtinës, vetëm se atëherë si zyrtar i LVV-së. Ai u vendos në komunë gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit, ndërsa në mandatin e tij të dytë, që e mori në zgjedhjet e 2017-s, Sejdiu nuk e vazhdoi punën në kryeqytet. Disa muaj më vonë, LVV-ja u nda, e ish-nënkryetari i Prishtinës ishte pjesë e grupit që u largua nga partia e Albin Kurtit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat