Kurti përplaset me opozitën për masat e reja antiCOVID

Aktuale

Kurti përplaset me opozitën për masat e reja antiCOVID

Më: 27 janar 2022 Në ora: 14:18
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë për shkak të vendosjes së masave të reja kundërCOVID.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për gjendjen e pandemisë, tri partitë opozitare kritikuan shefin e ekzekutivit për neglizhencë ndaj variantit omicron dhe mbyllje të kufijve me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit. Por, kreu qeveritar tha se masat i kanë ndërmarrë me kohë dhe se rekomandimi i OBSH-së që të mos kërkohet certifikata e vaksinimit në kufij është bërë për shkaqe diskriminimi jo epidemiologjike.

Duke i replikuar fjalimit të parë të kryeministrit, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se ekzekutivi nuk i ka marrë masat me kohë për të parandaluar përhapjen e variantit omicron.

Haxhiu: Qeveria e ka neglizhuar variantin Omicron

“Qeveria e ka neglizhuar omicronin. Nuk ka marrë me kohë masat e duhura dhe në veçanti pikat hyrëse dhe nuk ka bërë veprimet e duhura për gjurmim përmes testimit. Prandaj kemi rritje të pozitivitetit, nga 1 për qind në 26 për qind. Kjo është si pasojë e asaj se dikush brenda sistemit shëndetësor është përpjekur rrejshëm ta paraqes situatën”, tha ai.

Në linjë të njëjtë të kritikës u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Zemaj: Qeveria injoroi situatën me omicron

“Ky është injorim i asaj situate dhe për këtë arsye kemi ardhur në këtë situatë alarmante. Ju mund të vendosin sido që ta quani. Kjo është koha e vonuar dhe tashmë pasojat janë evidente, në statistika në numra dhe mbi të gjitha edhe në shëndetin publik”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se masat e fundit të Qeverisë kanë anomali me njëra-tjetrën.

Tahiri: Pse e keni mbyll kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore

“Pse e keni mbyll kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kur do ta hapni ? Nëse Organizata Botërore të Shëndetësisë ka një qëndrim të tillë, pse Kosova ka një qëndrim tjetër? E dyta, a mund ta shpjegoni se si është e mundshme që ora policore ta ndalë variantin omicron dhe jo shërbimi shëndetësor? Si është e mundshme të mbyllen palestrat sportive dhe në qendrat tregtare të shkojnë nga tre-katër mijë veta dhe mos të ketë inspektim dhe të thuhet se po e ndalim?”, tha ai.

Në kundërpërgjigjen e tij ndaj deputetëve, kryeministri Kurti tha Kosova nuk guxon t’i lirojë masat pa e kaluar pikun e rasteve. Ai shpjegoi edhe pse njëra ndër masat është kërkesa për tri vaksinat ose testin, pavarësisht se OBSH-ja ka rekomanduar që kjo masë të largohet.

Kurti: OBSH s’ka rekomanduar kërkesën për certifikatë në kufij për shkaqe diskriminimi

“OBSH-ja nuk e ka rekomanduar kërkesën për certifikatën e vaksinimit në kufij, jo për shkak se nuk është masë efikase në aspektin epidemiologjik, por për shkak të një arsye të vetme. Për shkak se ka vende të botës, kryesisht në Azi dhe Afrikë që ende nuk kanë mjaft vaksina në dispozicion, andaj kërkimi i certifikatave në kufij konsiderohet diskriminues. Mirëpo kjo logjikë nuk vlen për neve, pasi gati të gjitha udhëtarët që vijnë në Kosovë janë nga Evropa ose SHBA. Atje siç e dina nuk ka mungesë të vaksinave edhe te ne nuk ka mungesë të vaksinave. Në stoqet tona janë gjysmë milion vaksina, pra nuk po diskriminohet askush me këtë në vendin tonë”, theksoi ai.

Pas këtij debati, deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:00. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat