Propozohet strukturë me tri bllok-tarifa për çmimin e energjisë

Aktuale

Propozohet strukturë me tri bllok-tarifa për çmimin e energjisë

Më: 27 janar 2022 Në ora: 14:43
KEDS

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për konsumatorët e energjisë elektrike.

Në një konferencë për media, ky institut ka propozuar ndarjen e tarifave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.

Sipas propozimit, konsumatorët që do të shpenzonin deri 600 kilovatë në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata nga 600-1200kW për 70 për qind e ata mbi 1200kW rritje prej 80 për qidn të çmimit.

Sipas INDEP-it, ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka propozuar ZRRE-ja. Sipas këtij instituti, propozimi i ZRRE-së çon rritjen e çmimit për ata që shpenzojnë mbi 600KW mbi 200 për qind.

INDEP-i ka thënë se do t’i dërgojë propozimet si komente me shkrim edhe në ZRRE.

Në arsyetim të këtij propozimi, Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, ka thënë se me propozimin që ata konsumojnë deri 600KW në muaj të mos kenë shtrenjtim të çmimit të rrymës, do të bënte që të ketë ulje të interesit për masat e efiçiencës.

Një ngritje e çmimit në këso bllok-tarifa, sipas INDEP-it, do të nxiste përpjekjet e qytetarëve për kursim.

Gjocaj ka arsyetuar propozimin për ngritje prej rreth 70 për qind të çmimit për kategorinë e dytë (600-1200KW) do të bënte që qytetarët të ishin më të barabartë në shpenzime sikur ata që ngrohen me ngrohje qendrore, sikur ata që shfrytëzojnë energjinë për ngrohje.

Për shpenzuesit e mbi 1200KW, INDEP-i ka thënë se kjo është kategori e njerëzve që kanë të hyra më të mëdha dhe se është e rëndësishme që të bëhet ndarja mes sasisë esenciale për shpenzim dhe asaj mbi mesatare.

Dardan Abazi, udhëheqës i hulumtimeve në INDEP, ka thënë se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm. Ai ka akuzuar performancën e dobët të KEK-ut për ndikim në thellimin e krizës energjetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat