Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës, deklarohet kryeministri Kurti

Aktuale

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës, deklarohet kryeministri Kurti

Më: 31 janar 2022 Në ora: 07:32
Albin Kurti

(E plotësuar 11:41) - Kryeministri i Albin Kurti, duke komentuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në lidhje me ngritjen e tarifave për energjinë elektrike në Kosovë, theksoi se nuk është e mundshme që të mos ketë as subvencione, as shtrenjtim dhe as shkyçje.

I pari i ekzekutivit tha sërish se raporti i ZRRE-së nuk është as final e as fatal.

Kurti: Nuk është e mundshme që të mos ketë as subvencione, as shtrenjtim dhe as shkyçje

“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë krizë energjetike, kur jo vetëm zgjidhje ideale, por as zgjidhje optimale nuk ka. Po e ritheksoj se nuk është e mundur që të mos kemi as subvencion, as shtrenjtim e as shkyçje. Por, duhet që të marrim parasysh sa më shumë faktor dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë në të cilën nuk jemi me fajin tonë. Sepse në njërën anë çmimet e energjisë elektrike janë shtrenjtuar shumë në bursën ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm, dhe mos investim në kapacitetet e reja. Andaj, e ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje nuk është final e as fatal, ai pret komentet që do të dorëzohen sot e më pas presim një vendim meritor”, tha ai.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri sot gjatë nderimeve që bën bashkë me presidenten Vjosa Osmani për tre heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në sheshin e Dëshmorëve në Podujevë.

Ndërkaq, afati i fundit për dorëzimin e propozimeve si komente me shkrim në Zyrën e Rregulltarit të Energjisë është sot në orën 16:00. 

***

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se shteti i Kosovës nuk do të pranoj asnjëherë modele që mund ta shndërronin vendin tonë në shtet jofunksional.

Ajo tha se modele të tilla nuk i janë kërkuar asnjëherë dhe nuk i janë paraqitur palës kosovare nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

“Modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jo funksional as nuk na kërkohen as nuk i pranojmë”, u shpreh Osmani.

Presidentja bëri të ditur se sot rreth orës 16:00 do të takoj emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Osmani theksoi se për propozimet për të cilat po flitet në opinion lidhur me shtyrjen përpara të Asociacionit të komunave me shumicë serbe asnjëherë nuk u janë prezantuar.

“Do ti takoj sot ata rreth orës 16:00, dua ti sqaroj se propozimet për të cilat po flitet asnjëherë nuk i janë prezantuar palës tonë, pra institucioneve të Kosovës. Problemi i madh është se kanë qenë përfaqësuesit e Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se këto tendenca që pastaj përgjegjësia të gjuhet te komuniteti ndërkombëtar nuk i bëjnë nder Kosovës.

“Si përfaqësues të Republikës të Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional. Keni dëgjuar ambasadorin e SHBA-ve dhe z.Escobar që në fakt kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që veriun e Kosovës do ta shndërronin në një republika srpska të re, pra nuk kërkohen kompetenca ekzekutive.

Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta dhe nuk janë befasi për askënd”, tha Osmani.

E kryeministri Kurti, tha se është më e drejtë që qëndrimet e tyre ti paraqesin pas takimit me përfaqësuesin Escobar dhe Lajçak.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për protestën që u mbajt të shtunën në Prishtinë kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës.

Ai ka thënë se sot është dita e fundit për dërgimin e komenteve te Zyra e Rregullatorit të Energjisë kundër apo pro propozimit të tyre për shtrenjtimin e rrymës.

“Besoj që deri në orën 16 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike. Nuk është e mundur që të mos kemi as subvencion, as shtrenjtim e as shkyçje, andaj duhet të jemi sa më shumë bashkëpunëtorë që të dalim së bashku nga kjo situatë. Ne jemi në këtë pozitë jo për fajin tonë, pasi që çmimi i energjisë elektrike është ngritur edhe në bursën ndërkombëtare dhe kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për vizitën e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, ku ka thënë se do të jetë hera e parë që do të takohet me z.Escobar, pasi që me të ka biseduar vetëm përmes telefonit.

Kurti ka thënë se pas takimit me Escobar dhe Lajçak, do të flasin edhe për media.

LIVE: Osmani e Kurti vendosin kurora lulesh te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti

Sot janë bërë 25 vjet që nga vrasja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti vendosin kurora lulesh tek shtatorja e tij.

Pra, në sheshin e Dëshmorëve në Podujevë.

Të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe tek shtatoret e heronjve, Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushevci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat