Vllahiu: LDK, PDK dhe AAK s’e kanë fuqinë e opozitës si të VV-së, ja pse

Aktuale

Vllahiu: LDK, PDK dhe AAK s’e kanë fuqinë e opozitës si të VV-së, ja pse

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 22:03
Arbër Vllahiu

Analisti politik, Arbër Vllahiu, ka thënë se partitë opozitare po kanë frikë nga disa kauza politike për shkak se janë peng i gabimeve në të kaluarën.

Ndërsa për partinë që është në pushtet vlerëson se po sillet sikur korrektues i krejt proceseve të mëhershme.

“Lëvizja Vetëvendosje sot sillet më tepër si korigjues i çdo gjëje që ka ndodhur më herët dhe posaçërisht kur bëhet fjalë për disa prej atyre marrëveshjeve ose dialogut me Serbinë, madje edhe të marrëveshjes me Malin e Zi për ratifikimin e kufirit. Për të gjitha kauzat e mëhershme Lëvizja Vetëvendosje ka pasë opozitarizëm shumë të fuqishëm, kurse sot të gjitha partitë politike opozitare nuk e kanë fuqinë e kundërshtimit që e ka pasë më herët Lëvizja Vetëvendosje për faktin se një pjesë e madhe e partive që sot janë në opozitë – LDK, PDK dhe AAK – janë parti të cilat kanë qenë të lidhura drejtpërdrejtë me proceset ose në fund të fundit kanë kaluar disa prej proceseve”.

Vllahiu ka deklaruar se LDK-ja dhe PDK-ja nuk po bëjnë opozitarizëm të fuqishëm, siç bënte ndaj tyre Vetëvendosje, për shkak të problemeve të tyre në tentativën për ndryshim nga brenda.

“Kjo është pjesa e hipotekave me të kaluarën e në të cilën Lëvizja Vetëvendosja e ka shumë më lehtë që t’i mbajë peng këto parti politike dhe që ndaj tyre të sillet me sjelljen që e ka sot. Edhe PDK-ja edhe LDK-ja janë parti që janë ende në tranzicion. Procesin e reformimit të brendshëm nuk kanë arritur që ta përmbyllin që prej 14 shkurtit dhe sot janë parti që problemin e tyre të brendshëm nuk po e tejkalojnë dhe në këtë formë nuk po mund t’i bëjnë ballë pushtetit të sotëm, ose nuk mund të bëjnë një opozitarizëm ashtu siç duhet”.

“Këto dy parti politike, që janë dy partitë më të mëdha opozitare, duket sikur kanë marrë qëndrim që është më lehtë që të kalohet me një formë të heshtjes përderisa jemi në proces të reformimit për të mos bërë zhurmë më të madhe sepse do të na hakmerret në vota. I gjithë kalkulimi shkon përmes votës në nivel lokal dhe atë qendror”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat