Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës, ngre padi ndaj tre serbëve

Aktuale

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës, ngre padi ndaj tre serbëve

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 17:13
Ilustrim

Shoqata “Krimet e Luftës Gjakova 98’99”, dorëzoi të premten kontingjentin e 15-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë në Departamentin e Krimeve të Luftës.

Udhëheqja e grupit të shoqërisë civile për komunën e Gjakovës, Shkëndije Hoda, ka thënë se kanë dorëzuar 80 kallëzime penale.

“Sot është kontingjenti i 15-të që Shoqata për Krime Lufte Gjakova 98/99, vazhdon t’i sjellë në Polici. Kësaj here kemi sjellë 80 lëndë, pra 80 kallëzime penale që kanë të bëjnë me vrasje, tortura dhe dëme materiale të shkaktuara gjatë kohës së luftës. Është një prioritet për shoqatën, por është edhe një shtyrje për gratë e tjera që përmes shoqatës kemi edhe një padi, ku një viktimë e dhunës seksuale e cila ka ngritur një kallëzim penal ndaj 3 kriminelëve të cilët i ka njohur dhe identifikuar në zyrën tonë”, tha Hoda.

Ndërkaq, Hoda ka theksuar se që nga viti 2018, kanë sjellë vazhdimisht kallëzimet penale, lëndë këto që kanë kaluar shifrën prej 500. Ajo, ka treguar edhe për bashkëpunimin që e kanë me policinë, për të pasur më të lehtë të gjejë kriminelin.

“Ne që nga viti 2018 i sjellim kallëzimet penale, pra ka kaluar shifrën prej 500 lëndëve, dhe është e natyrshme që një lëndë merr kohë, për shkak se nëse identifikohet krimineli, ne mundohemi të gjejmë ndonjë fotografi të tij duke barazuar me kohën atëherë se si ka qenë atëherë dhe si duhet tani për t’ia lehtësuar punën edhe Policisë”, tha Hoda.

Hoxha, është shprehur optimiste, që rastet do të zbardhen dhe se këta kriminelë do të arrestohen.

“Ne nuk e kemi luksin apo mundësinë, që të shkojmë në Serbi t’i arrestojmë, ndoshta edhe bashkëbisedimi dhe marrëveshja që do të bëhet do të sjellë një rezultat. Por unë jam e bindur që çdo kriminel që tenton të hyjë në Kosovë do të arrestohet, pasi që kanë fakte të mjaftueshme. “, tha Hoda.

Tutje, Hoda është shprehur se do të vazhdojnë me kallëzimet penale, deri në procedurat e fundit, dhe se do të jenë afër dëshmitarëve që do të paraqiten në Gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat