Përkohshmëri e përhershme? - Kosova në 14-vjetor

Aktuale

Përkohshmëri e përhershme? - Kosova në 14-vjetor

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

14 vjet që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës - bilanci i vëzhguesve është i përzier. Por përgjegjësia kryesore bie mbi BE-në, thonë ata.

Susanne Schütz, e ngarkuara e qeverisë gjermane për Evropën Juglindore dhe Turqinë, është e mendimit se në 14-vjetorin e pavarësisë Kosova ka sfida të mëdha përpara. Në një diskutim online zhvilluar në fillim të javës, Schütz i quajti shpresëdhënëse reformat që ka premtuar qeveria Kurti, çka janë pasqyruar edhe në indeksin e fundit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. "Kosova aty ishte ngjitur 17 vende më lart se një vit më parë dhe ky është një përparim i rëndësishëm, krahasuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor", tha diplomatja gjermane në diskutimin e organizuar nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare me seli në Vjenë dhe Ambasada e Kosovës në Berlin. Por edhe në planin dypalësh, marrëdhëniet kanë ardhur duke u përmirësuar. Një nga ngjarjet që e dëshmuan këtë së fundmi, ishte njohja e lejeve të drejtimit të automjeteve nga Kosova në Gjermani që me siguri do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, theksoi diplomatja.

Image
Susanne Schütz

Schütz shpreson tani që Bashkimi Evropian të mbajë premtimin dhe të heqë regjimin e vizave për Kosovën: "Qeveria gjermane e ka këtë çështje si prioritet të lartë, dhe do ta shtyjë sërish përpara debatin brenda vendeve të BE-së". Shpresa për përmirësim në marrëdhëniet me Serbinë, ka Schütz pas zgjedhjeve në Serbisë, në prill. 

Shembull në rajon

Raportuesja ekologjiste në parlamentin evropian, Viola von Cramon, përveç ndjesisë së mirë që të jep Kosova kur e viziton, spikat edhe pluralizmin politik e mediatik, si një arritje të Kosovës në këto vite. "Kjo është një e mirë që duhet ruajtur dhe zhvilluar edhe më tej", tha ekologjistja dhe shprehu dëshirën që "Kosova të bëhet shembull në të gjithë rajonin".

Image
Vioal von Cramon

Raportuesi socialdemokrat për Kosovën në Bundestagun Gjerman, Josip Juratovic, ishte i mendimit se Kosova aktualisht është një nga vendet më demokratike në rajon dhe vëzhgon edhe një dëshirë te brezi i ri i arsimuar për t'u kthyer në vend. "Është e këndshme të shohësh kaq shumë njerëz që jetojnë këtu dhe duan të kthehen në vend", tha Juratoviç. Por ai parlajmëroi që Kosova të shihet në kontekstin rajonal."Është e rëndësishme që BE të jetë më aktiv dhe më i angazhuar për forcimin e demokracive në tërë rajonin", tha Juratoviç. "Vetëm demokracitë janë të afta të sheshojnë mospajtimet mes njëra-tjetrtës dhe të reflektojnë për gabimet e së shkuarës", tha Juratoviç duke pasur parasysh Serbinë.

Image
Josip Juratoviiç

Ngecje në sovranitet

Ndërsa në planin e brendshëm Kosova duket se është në rrugë të mirë, në aspektin e sovranitetit mbisundon një "përkohshmëri e përhershme", tha Bodo Weber, ekspert i pavarur gjerman nga Berlini. Dhe për këtë nuk e ka fajin Kosova. “Edhe pse tash e dhjetë vjet Kosova zyrtarisht e ka fituar pavarësinë, nuk mund të flitet për sovranitet në kuptimin e vërtet të fjalës. Ai garantohet vetëm me mbështetjen e fuqishme të perëndimit".

Image
Bodo Weber

Bodo Weber është i mendimit se për këtë gjendje ngërçi është përgjegjëse edhe BE-ja, me bllokimin e vazhdueshëm që i bën zgjerimit. "Pa një perspektivë të qartë për anëtarësimin e Serbisë në BE, nuk kemi mjete presioni ndaj saj", tha ai. "Përsa kohë është kështu, negociatat me Serbinë do të mbeten në një simulim".

BE të dëshmojë unitet

Dan S. Hamilton,  nga Instituti për Politikë të Jashtme SAIS në Uashington, tha se kyçi i zgjidhjes së çështjes së sovranitetit të Kosovës është te pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj: "Ne duhet të flasim me ta", tha Hamilton, duke pasur parasysh Greqinë, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën.

Image
Dan S. Hamilton

 

"Nuk ka nevojë t'i bindim që ta njohin Kosovën menjëherë, por së paku që të mos e bllokojnë Kosovën. Ata duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit."

Hamilton argumenton se vetëm kur të arrihet kjo, edhe Serbia do ta pranojë perëndimin si fuqi në rajon, Përsa kohë që kjo nuk ndodh, Rusia do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e saj destabilizues në Ballkanin Perëndimor dhe Serbia nuk do të jetë e gatshme të njohë Kosovën, thotë Hamilton./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat